Ish-mbrojtësi i Milanit, Lazios dhe kombëtares holandeze, Jaap Stam, ka dhënë një intervistë për “The Athletic”, në të cilën është ndalur për të folur mbi synimet e tij si trajner në të ardhmen: “Do të doja të kthehesha në rolin e trajnerit, me të vërtetë më pëlqen të punoj përsëri në Britaninë e Madhe.
Si trajner ia dola mirë te Reading (2016-2018), arrita në finalen e ‘play-off’-it të Championship. Njerëzit menduan se mund ta bëja të njëjtën gjë sezonin e ardhshëm, por nuk mundesh nëse nuk investon dhe nuk sjell lojtarë më cilësorë.
Kur luan në një kompeticion kaq të vështirë, është gjithmonë shumë e vështirë të ndryshosh lidershipin. Për pasojë i thashë klubit: Ndoshta është më mirë të gjeni dikë tjetër për ta marrë përsipër drejtimin e ekipit".
Stam më pas u fokusua te blerja e re e Manchester United, ish-skuadrës tjetër e tij, përkatësisht të bashkatdhetarit Zirkzee nga Bologna: “Një djalë i ri me shumë cilësi, siç e tregoi në Serie A. Natyrisht, i duhet kohë për t’u përshtatur në Premier League.
Këtu kam parasysh jo vetëm stilin e lojës, por edhe presionin e pritshmëritë që vijnë nga të luajturit në një klub të madh si Manchester United. Është mirë për Joshua që ka shumë holandezë atje, si sulmues padyshim ka disa aftësi të spikatura”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd