Nga Ylli Manjnani
Me përjashtim të ministrave që emërohen e largohen dhe familjeve të tyre, askujt tjetër nuk i ndryshon jeta nga ndryshimet në qeveri. Ndoshta jeta disi do na ndryshonte po të ndërroheshin qeveritë, por jo ministrat e të njëjtës qeveri. Ndoshta them, se garanci nuk ka, jo.
Sidoqoftë, politika bëhet më interesante kur ndryshojnë kryeministrat e jo ministrat e të njëjtit kryeministër. Për mua periudha 1997-2005 ka qenë shumë më interesante sesa të gjitha periudhat e marra së bashku. Socialistët ishin më interesantë, më kërkues, më debatues. I dhanë tonin më të lartë politikës në vend. Kryeministrat binin, ministrat po e po.
Në çdo kabinet qeveritar të kësaj periudhe kishte prezent të paktën 2 kandidatë për kryeministra. Kandidatë me kontribute politike, jo kandidatë parazitë, si këta që rrinë në prapanicën e udhëheqësit.
Institucionet që dilnin nga parlamenti i kësaj periudhe ishte më të balancuara, cilësisht më të mira. PS, megjithëse në shumicë të fortë numrash, lëshoi Presidentin e Republikës (duke vrarë dëshirën e kryetarit të saj), lëshoi përfaqësimin e balancuar në çdo institucion kushtetues.
Kushtetuta ishte ligj i shenjtë. Gjykata Kushtetuese kishte autoritet absolut. Sistemi politik bazohej ende në garë… Megjithatë, kjo praktikë u zhduk. Sot kontribut quhet të bëhesh ‘MEME’. Bëhesh edhe kryetar parlamenti si ‘MEME’. Ministër po e po. Biles bëhen edhe filma…
Institucionet e shtetit janë të gjitha pronë e partisë. Partia vendos, Parlamenti miraton, Presidenti del edhe të dielën dhe i vë vulën e Republikës vendimeve të partisë!!! Nejse, të tilla ndryshime në qeveri nuk sjellin asgjë të re. Vetëm ‘MEME’ të reja si marketing për "prapanicën" e vjetër, që ka bezdi edhe qimet e veta tashmë…
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd