Transmetuar më 25-07-2024, 18:55

Flutura Açka tashmë do të vijojë betejën si deputete e pavarur në Kuvend, pas largimit nga grupi Parlamentar i Partisë Demokratike dhe drejtimi i Komisionit të Medias.

Açka tregon se të njëjtin distancim ka dhe ndaj Lulzim Bashës, pasi prej 11 qershorit është larguar dhe nga posti i nënkryetares së PD zyrtare.

“Nga 11 qershori unë e kam kuptuar se struktura jonë, nëse do të mbetej ashtu, nëse nuk do ti nënshtrohej një riformatimi që bazohet në dëshirat dhe iniciativat e një grupi njerëzish, por do të mbeste ashtu si ish-pjesë e PD ishte një gjë që nuk shkonte. Nuk e konceptoja të isha nënkryetarja e një gjëje që ishte paralele me PD. Që në momentin kur vula ka kaluar te PD, pra te Rithemelimi, s’ka as kuptim për të tilla formacione. Të paktën vetë nuk e shoh veten në të tilla formacione”, tha Açka për A2 CNN

Deputetja opozitare pranon se ky mandat mund të jetë i pari dhe i fundit për të, pasi thotë se nëse Kuvendi miraton draftin për mbylljen e një pjese të listave ajo nuk do të garojë.

“Nëse listat do të ishin hapur dje atëherë do të garoja si një deputete e pavarur dhe do të lija shqiptarët ta vendosnin ata, në të gjithë Shqipërinë, në një zonë, nëse do të isha ose jo deputete. Por në këto kushte, me këtë xhaketë të ngushtë, vetëm në dëshirën, egon apo kapriçon e një kryetari mendoj se nuk është një kafe për mua dhe këtu ndalem në një farë mënyrë. Por beteja opozitare do të vazhdojë”, tha Açka.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit