Transmetuar më 24-07-2024, 14:35

Një 20-vjeçar është arrestuar pasi akuzohet se është përfshirë në një skemë të madhe mashtrimi me objektiv sistemin arsimor në të gjithë vendin.

Ndaj të riut është vendosur masa e sigurisë ‘arrest bë burg’ nga Gjykata e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprat penale ‘Falsifikim kompjuterik’ dhe ‘falsifikim i dokumenteve’.

I arrestuari Ermes Hoxhalli kishte krijuar një identitet të rremë, duke u angazhuar me zyrtarë të Ministrisë së Arsimit dhe të institucioneve të tjera arsimore në të gjithë Shqipërinë.

Qindra studentë, mësues dhe zyrtarë arsimorë në të gjithë Shqipërinë morën pjesë në këto programe mashtruese ku iu premtonin nxënësve dhe mësuesve udhëtime falas në Shtetet e Bashkuara.

Kaq mjaftoi që të krijonte një projekt kokë e këmbë të rremë, “Let’s talk together about US 2023”, nëpërmjet të cilit mashtroheshin të rinj gjimnazistë me premtimin se pjesëmarrësve do t’u sigurohej udhëtim në Shtetet e Bashkuara.

Mashtrimi vijoi për disa kohë, derisa një hetim i zhvilluar nga prokurorja e Tiranës, Eloida Goxhi, përfundoi këtë fillim-jave me arrestimin e “Klea Rama”, emri i vërtetë i së cilës është Ermes Hoxhalli, rreth 20 vjeç, nga Bilishti i Devollit, shkruan boldnews.

Sinjali në ambasadën e SHBA

Në maj të vitit 2023, personazhi “virtual” Klea Rama, ka lëshuar 19 çertifikata për nxënës dhe një mësues të shkollës “Ali Demi” në Vlorë, për pjesëmarrje në projektin “Let’s talk about US 2023”, të nënshkruara nga zyrtarja e Ambasadës Amerikane në Tiranë, Amanda R.

Në një kohë më vonë, ky informacione mbërrin në Ambasadë. Diplomatja mohoi përfshirjen e kësaj në këtë projekt para prokurorisë shqiptare dhe eksperiza grafike tregoi se nënshkrimi i saj nuk ishte i njëjtë me ato që gjendeshin në çertifikatat e shpërndara nga koordinatorja e rreme e projektit, “Klea Rama”.

Kjo situatë nxiti hetime të mëtejshme, nga ku u zbulua se “Klea Rama”, duke u shtirur si mbesa e kryeministrit Edi Rama, kishte krijuar aksese komunikimit me zyrtarë të lartë në Ministrinë e Arsimit, të cilët, gjithësesi, nuk e kishin takuar asnjëherë personalisht.

Në listën e komunikimeve të “Klea Ramës” përfshiheshin zv.ministrja Nina Guga, drejtoresha e Agjencisë së Arsimit Parauniversitar, Rezarta Alla dhe drejtues të tjerë të Ministrisë.

Si u zbërthye mashtrimi

Në qershor të vitit 2024, personazhi “Klea Rama”, gjithnje duke u prezantuar si mbesa e kryeministrit, vihet në kontakt me drejtoreshën arsimore të Lezhës, Valentina Suta.

Në një komunikim, “Klea” i kërkon zyrtares lezhjane që të ndihmoj një mikun e saj, Ermes Hoxhalli, që të zbatojë një projekt për teatrot rinore. Në këtë komunikim, “Klea” jep gjeneralitetet e plota të Hoxhallit dhe informon drejtoreshën arsimore të Lezhës se ai është student në Akademinë e Arteve.

Drejtoresha e Arsimit në Lezhë i thote bashkëbisedueses që të komunikojë me drejtorin e Kulturës në Bashkinë e qytetit, por “Klea” i thotë që nuk mund të flasë drejtëpërdrejtë, pasi “xhaxhi Edi (Rama) nuk e lejon të flasë me zyrtarët, pasi mund të behet problem nëpër lajme”.

Ky ishte sinjali i parë dhe, mbi të gjitha, gabimi i parë i “Klea Ramës”, e cila deri në atë kohë ia kishte dalë më së miri të fshihej virtualisht.

Prokuroria e Tiranës, në përpjekje për të gjetur se kush fshihej pas identitetit të rremë “Klea Rama”, tashmë kishte një pikë mbështetjeje-Ermes Hoxhallin.

SKEMA dhe FAKTET/ Si 20-vjeçari nga Devolli u shtir si “mbesa e Në foto: 20-vjeçari nga Devolli Ermes Hoxhalli Ai u mor në pyetje, me qëllimim se kush ishte mikesha e tij, “Klea”. Marrja në pyetje zbuloi të gjithë skemën.

Zbulohet identiteti i “Klea Ramës”

Ermes Hoxhalli deklaron se kishte komunikuar për herë të parë me “Klean” në vitin 2021, kur po bëhej një projekt në gjimnazin e Bilishti.

Më tej, ata kishin rivendosur kontaktet në 2023. Sipas tij, “Klea” e kishte bindur që kishte kredenciale të forta në qeveri dhe në Ambasadën Amerikane.

Ermesi deklaroi para prokurores se “Klea” kishte adresë E-mail të Departamentit të Shtetit dhe njihte ministren për Femijët, Bora Muzhaqi, e cila e kishte uruar për ditëlindje me një video të dedikuar në rrjete sociale.

Pasi kishte parë këto të dhena, Ermesi deklaroi se i interesante komunikimit me “Klean” për të ardhmen e tij, megjithëse nuk ishin takuar kurrë.

Në vijim, Ermesi deklaron se “Klea” e angazhonte për të pergatitur grafikisht çertifikatat që shpërndaheshin në kuadër të projektit “Let’s talk about Us 2023-2024”, e dokumenta të tjerë të ngjashëm.

Deklarimet e Ermes Hoxhallit u morën me rezervë në Prokurorinë e Tiranës.

Atij iu sekuestruat dy aparate telefonike që kishte në përdorim. Nga ekspertiza u kuptua se “Klea Rama” ishte, në fakt, Ermes Hoxhalli.

Në telefonin e tij u gjenden adresat e E-mail që përdoreshin nga “Klea Rama”, programe për bashkim fotosh, formate çertifikatash, logo të Departamentit të Shtetit, të kryeministrisë shqiptare dhe të Ministrisë së Arsimit, lloje të ndryshëm firmash, e të tjerë.

Në telefon u gjenden, ndër të tjera, edhe foto të këngëtares Amerikane, Gracie Abrams, të cilat “Klea Rama” i perdorte në profilet e saj në rrjete sociale.

Në vijim të veprimeve hetimore, prokurorja Eloida Goxhi, iu drejtuar Gjykates së Tiranës, e cila caktoi masën e sigurimit “arrest me burg” për Ermes Hoxhalli, nën dyshimet e kryerjes së veprave penale të “falsifikimit të dokumentave” dhe “falsifikimit kompjuterike”.

Si nisën hetimet

Kristi (emri është ndryshuar, për ruajtje anonimati) një maturant nga një qytet jugor i Shqipërisë po thurte ëndrra se si pas pak muajsh do të studionte falas për mjekësi në një universitet të Nju Jorkut. Një lajm i fundit në ekranin e televizionit, ia shkatërroi të gjitha.

Më 6 qershor, përmes një deklarate Ambasada e SHBA-ve në Tiranë njoftoi se projekti i njohur si “Let’s Talk Together About US24”, po mashtronte duke pretenduar se financohej nga qeveria amerikane, pasi ai nuk kishte asnjë lidhje me Ambasadën e SHBA dhe Departamentin e Shtetit të SHBA.

“U bëjmë thirrje të gjithë shqiptarëve të jenë të kujdesshëm ndaj mashtrimeve që garantojnë udhëtime falas në Shtetet e Bashkuara, si dhe viza amerikane pa pagesë ose me kosto të ulët. Gjithashtu, i bëjmë thirrje kujtdo që të kontaktojë Ambasadën e SHBA nëse dyshon se ndonjë person ose organizatë përpiqet të paraqesë veten në mënyrë të gënjeshtërt si të lidhur me ambasadën”,-thuhej në deklaratë.

Po atë ditë, Policia e Shtetit njoftoi se po kryente hetime të përbashkëta me prokurorinë dhe zyrtarët e ambasadës së SHBA-së në Tiranë, “për zbulimin dhe goditjen e një skeme mashtrimi për ofrimin e mundësive/bursave për studentët, për studime në SHBA”.

Policia kontrolloi banesën e Valentina Lamajt, mësuese anglishteje në shkollën “Qemal Stafa” në Tiranë, e cila, dhe siç rezulton në faqen zyrtare të projektin të cilësuar si i rremë, është edhe drejtuese e ekzekutive e nismës.

Bashkë me mësuesen është vënë në hetim edhe drejtoresha e kësaj shkolle.

Në një bisedë telefonike me Faktoje.al, oficeri i policisë gjyqësore që po heton dosjen, J. M. tha se “Çështja është nën hetim e sipër e nuk mund të ndahet më tepër informacion, por për dy mësueset nuk ka masë sigurie dhe ato po hetohen në gjendje të lirë.”

Por çfarë ka mësuar Faktoje për këtë skemë që ambasada dhe policia e quan mashtruese?

Rrëfimet e nxënësve të përfshirë tregojnë se ky projekt ju është prezantuar nga shkolla që në tetorin e vitit të shkuar.

Projekti kishte një website https://www.lttausa.com/ i cili identifikohet me logon e Ministrisë së Arsimit dhe Departamentit Amerikan të Shtetit, dhe njofton se “Projekti “Let’s Talk Together About US” është projekt i mbështetur dhe drejtuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit…”

Ata kanë publikuar një skemë drejtimi, e përbërë e gjitha nga mësues shkollash dhe në çdo publikim vihet re përdorimi i pandarë i logove të Departamentit Amerikan të Shtetit dhe Ministrisë së Arsimit.

Mësuesit dhe nxënësit e përfshirë në këtë projekt, i thanë Faktoje, se atyre ju ishte premtuar bursë studimi dhe udhëtim falas në SHBA, por për këtë duhet të përfshiheshin në një konkurs në nivel kombëtar duke garuar me projektet më të mira.

Nga muaji tetor deri në muajin maj, 126 nxënës me mesatare mbi 9 u përfshinë në konkurse dhe pas 3 fazave të vlerësimit u zgjodhën 44 finalistë.

Në këtë projekt u angazhuan si vlerësues apo koordinatorë 64 mësues. Në shkolla nuk hyri asnjë person i jashtëm, dhe procesi u menaxhua në formë piramidale, ku çdo shkollë që konkurroi, zgjodhi si koordinator një mësues.

“Ne 44 finalistëve na u more çdo e dhënë e mundshme si karta e identitetit, vërtetim mbi llogarinë bankare, certifikatë familjare, numër amze, firmë, rezultate shkollore me idenë se po përgatitnin aplikime për t’i dërguar jashtë. Nxënësit u renditën sipas pikëve dhe u shpall një listë prej 25 studentëve të përzgjedhur me pikët më të shumta, të cilët do të vizitonin Amerikën dhe prisnin përgjigjen e aplikimeve në universitetet e huaja”,-tha për Faktoje një prej nxënësve të përfshirë.

Ndërsa një prej mësueseve të Korçës, që sot deklaron veten të mashtruar, emrin e së cilës Faktoje po e mban anonim, thotë se nuk u paguan për këtë punë shtesë dhe mbledhjet vlerësuese që janë bërë në platformën “Zoom”.

“Mësueset e matematikës punuan për rreth 12 ditë nga ora 8 deri 8 të darkës dhe nuk i pyeti njeri se ishte e shtunë apo e diel. Çdo urdhër se si do veprohej vinte nga DRAP te ZA, nga ZA tek drejtorët e shkollave, nga drejtorët te mësuesit e nxënësit. Pra, e gjithë Ministria është e përfshirë”.

Mësuesja thotë se bashkë me nxënësit ndihet e frikësuar për të gjitha të dhënat personale që janë dorëzuar, “përveç mashtrimit e talljes që na u bë, dhe lodhjes që kaluam. Kujt t’i ankohesh kur vetë MAS është e përfshirë? Na doli që Ambasada Amerikane thotë që ne jemi jashtë kësaj. Mësuesve iu vjen vetëm një email. Ndërprisni projektin”.

Klea Rama, enigma e kësaj skeme…

Sipas të gjitha fakteve dhe dëshmive, në krye të kësaj piramide rezulton të jetë një person që e quan veten Klea Rama e që përdor për komunikim një numër celulari amerikan.

Në faqen zyrtare të projektit https://www.lttausa.com/p/kontakt.html Klea Rama rezulton të jetë drejtuesja e projektit për Shqipërinë, dhe ajo deklarohet si përfaqësuese e “Departamentit Amerikan të Shtetit”.

Nxënësit dhe mësuesit e përfshirë komunikonin me Klean përmes një grupi në Whatsapp, ku merrnin udhëzime për projektin si dhe zhvillonin biseda të ndryshme.

“Ajo na kishte thënë se ishte maturante si ne, jetonte në Nju Jork dhe e drejtonte projektin që andej. Shpesh hiqej si e afërme e kryeministrit. Ajo na jepte udhëzime dhe mësuesit e tjerë në nivel drejtues zbatonin porositë e Kleas ose na flisnin në emër të saj”,-i tha Faktojes një nga nxënësit.

Në një prej bisedave, teksa flitej për transformimin e Vlorës, Klea Rama i replikonte një nxënësi nga ky qytet: “Kështu është kur keni xhaxhin tim kryeministër”.

Zyra e kryeministrit e pyetur nga Faktoje për këtë rast, dha mohoi çdo lidhje dhe dijeni.

“Zonja në fjalë nuk ka asnjë lidhje me Kryeministrin Rama dhe se zyra e Kryeministrit nuk ka asnjë dijeni për këtë zonjë apo për projektin që ju citoni”,-tha zyra e z. Rama.

Siç ka mësuar Faktoje, Klea Rama, ose personi që identifikohet me këtë emër, ka vijuar komunikimet me nxënësit e përfshirë në projekt, edhe pas njoftimit të ambasadës se ajo po mashtronte, dhe DASH nuk ishte partner i saj. Por më pas, ajo ka fikur numrin e telefonit dhe është zhdukur nga të gjitha llogaritë në rrjetet sociale me të cilat nxënësit kishin folur me të deri në ato momente.

Premtime dhe shantazh pas “grisjes së maskës”

Menjëherë pasi ambasada amerikane dhe policia e shtetit e quajtën këtë projekt një skemë mashtruese, nxënësit e përfshirë reaguan menjëherë në grupin në Whatsapp, duke i kërkuar llogari Klea Ramës për këtë.

Ajo vijon të thotë se projekti është zyrtar me Ministrinë e Arsimit, dhe i quan njoftimet në media “kazan”.

Këto janë bisedat mes saj dhe maturantëve, të siguruara nga Faktoje:

Nxënës: Keni diçka zyrtare për të na treguar se ky projekt është legjitim?

Klea Rama: Be happy and smile. Don’t Worry! (Kënaquni dhe buzëqeshni. Mos u shqetësoni).

Nxënës: Kjo është shumë serioze për sa kohë është bërë mediatike. Dhe mendoj që kaluam të gjitha fazat e projektit dhe nuk pati asnjëherë një përfaqësues të huaj që të fliste për këtë çështje dhe asnjë faqe zyrtare e huaj.

Nxënës: Nuk është se e pamë në rrugë dhe aplikuam, mbi këtë projekt nga njohu vetë shkolla jonë.

Nxënës (dërgon foto nga ekrani i një televizioni që ka njoftuar veprimet e policisë): Këto u arrestuan, ju kërkoni akoma Amerikën.

Klea Rama: Kazan, janë kryer disa kontrolle dhe kaq.

Nxënës: Më falni, por cila është kazan, ambasada amerikane?

Nxënës: Meqë po i bëhet padrejtësi projektit, duhet të bëni një sqarim transparent për ne nxënësit, sepse ju besuam, dhe u angazhuam për kaq muaj e jo të na bëni ironi.

Klea Rama: Do flasim kur të mbarojë hetimi.

Kle Rama: Dhe një herë ju lutëm, projekti ka një miratim nga MAS. Po ju nis miratimin e MAS e ju lutem prisni mos dilni në teori të gabuara pa i parë të gjitha anët e medaljes.

*KLEA NIS NJË FOTO QË SHIHET VETËM NJË HERË E NUK KOPJOHET AS RUHET

Nxënës: Nuk shikoj as stemë e as vulë. Atë e shkruaj edhe unë.

Nxënës: As vulë e as firmë.

Nxënës: Nuk është puna tek lekët, sepse nuk kemi paguar asgjë, por ju na sorrollatët me muaj me provime dhe dokumente.

Klea Rama: Vajza, unë jam moshatare sa ju e si ju. Besoj e dini që asnjë projekt nuk zhvillohet pa miratimin e MAS. Ju lutem, ai është një email që ju është nisur të gjitha ZVAP-ve.Nxënës: Nëse është një projekt i miratuar nga MAS, rrjedhimisht institucioni qeveritar të paktën duhet të dalë me një reagim, gjë që nuk po e shohim të ndodhë.

Në vijim të bisedës, Klea nis një numër dhe emër prokurori dhe ju kërkon nxënësve të dërgojnë mesazhe duke deklaruar që s’kanë marrë para prej saj.

J. M. Është Prokurori. Ju lutem të gjithëve ti shkruani (emër mbiemër) dhe që asnjë nga organizatorët nuk ju ka kërkuar të dhëna materiale, lekë apo çdo gjë tjetër si kjo në këmbim të vizës amerikane apo çdo gjëje tjetër.”

Nxënës: Po na hidhni hi syve, duke mos na shpjeguar a keni lidhje me arsimin në Amerikë. Kërkuam një sqarim. Nuk i shkruaj asnjë prokurori apo avokati pa marrë një sqarim.

Nga verifikimet e Faktoje, rezultoi se prokurore e çështjes është Eloida Goxhi, ndërsa numri i telefonit të mësipërm i takon oficerit të policisë gjyqësore që po merret me hetimet përkatëse.

Pas kësaj, Klea zhduket nga whatssapp dhe Instagram, dhe përmes Snapchat, kontakton një nga nxënësit, të cilit i kërkon të përcjellë në grup një mesazh kërcënues në emër të saj, për këdo që nxjerr në media bisedat se do t’i kallëzojë penalisht.

“Për ata që kanë nxjerrë lajme do të nis një kallëzim penal. Nuk duhet të publikonit numrin personal dhe foto. Ai që e ka bërë është mirë t’i tërheqë mbrapsht, sepse është vepër penale”.

Hije dyshimi mbi përfshirjen e Ministrisë së Arsimit

Pikëpyetja më e madhe në këtë skemë është se për 9 muaj, nxënësit dhe mësuesit u përfshinë në një projekt që pretendonte të kishte mbështetjen e qeverisë amerikane, kur një partneritet i tillë nuk ekzistonte.

Të gjithë mësuesit dhe drejtuesit e shkollave që u kontaktuan nga Faktoje, thanë se ndiheshin të kërcënuar për të folur publikisht, por në këtë punë ishin përfshirë pasi emaileve zyrtare të përcjellja nga drejtoritë arsimore.

Një prej drejtuesve të shkollave që është marrë në pyetje edhe nga autoritet për këtë çështje, tha për Faktoje:

“Projektet vijnë të gjitha me miratim nga MAS ne bëjmë vetëm zbatim të tyre kjo gjë dihet ligjërisht. Emailet i kanë strukturat vetë kështu që…. Shkolla nuk certifikon projekte. Di vetëm që ne jemi viktima nëse është e vërtetë….realisht jemi të shokuar vetë. Fillon e mbaron puna kush e solli, pse e solli, ne bëjmë detyrën me shumë përkushtim”.

Një mësuese tjerët në Lezhë, e përfshirë në rolin e grumbullimit të dokumentacionit të nxënësve, tha për Faktoje: “Nuk kisha asnjë ide se ishte një mashtrim. Unë gjithmonë kam qenë e angazhuar në projekte në shkollën time dhe e dija që isha duke punuar për një detyrë të lënë nga ministria e arsimit. Gjithçka ka qenë zyrtare”.

Asnjë prej të kontaktuarve, në nivelin e mësuesve dhe drejtorëve të shkollave nuk i dha Faktojes ndonjë dokument që të vërtetonte komunikimin me eprorët e tyre.

Faktoje kontaktoi drejtoren e Zyrës Arsimore Tiranë, Erjeta Alhysa, pasi të paktën për momentin janë nën hetim dy arsimtaret e shkollës “Qemal Stafa” që ajo i ka në varësi.

Drejtoresha pranoi se “Edhe për këtë projekt, si për çdo projekt tjetër, ne kemi zbatuar urdhrat dhe udhëzimet që me email dhe me shkresa na kanë ardhur nga titullarët tanë. Nuk kemi bërë asgjë pa njoftim zyrtar dhe për këtë rast, ekziston ky urdhër. Ne nuk bëjmë projekte, ato i miraton Ministria.”

Faktoje e pyeti Ministrinë e Arsimit, nëse ka pasur ndonjë rol zyrtar/partneritet me projektin “Let’s Talk Together About US’24” e nëse mund ta dokumentonin këtë.

Por përgjigjja e dhënë nuk shpjegoni se si një projekt i tillë mashtrues u shtri në mbarë shkollat e vendit.

“Ministria e Arsimit dhe Sportit sqaron se po bashkëpunon ngushtësisht me institucionet ligjzbatuese për hetimin dhe zbardhjen e çështjes në fjalë. MAS është e angazhuar të ofrojë mbështetje të plotë dhe të gjitha të dhënat e nevojshme për të ndihmuar organet kompetente në zbardhjen e kësaj çështjeje”,

thuhet në përgjigjen e ministrisë, e cila inkurajon institucionet ligjzbatuese për zbardhjen sa më parë të çështjes dhe “siguron publikun për bashkëpunim dhe transparencë të plotë”.

Drejtorët e shkollave i thanë Faktoje, se pas njoftimit publik të ambasadës amerikane, ishin urdhëruar ta ndalonin projektin, përmes këtij email-i:

“Në vijim të emailit të mëposhtëm të dërguar nga znj.Sefa, për projektin “Let’s Talk Together About US’2024”, me porosi të eprorëve ju njoftojmë që të ndërpritet menjëherë zbatimi i këtij projekti. Njoftoni të gjitha strukturat tuaja të varësisë dhe çdo person të përfshirë në këtë projekt.”

Cili ishte qëllimi?

Nga grumbullimi i fakteve dhe dëshmive, rezulton se deri më tani, është mashtrim pretendimi se ky projekt mbështetej nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Klea Rama të përfaqësonte administratën amerikane.

Nxënësve ju ishte premtuar udhëtim falas në SHBA dhe bursa studimi.

Megjithëkëtë, nxënësit pranojnë se deri në këtë fazë, nuk ju janë kërkuar para siç konfirmohet edhe nga kjo bisedë e transkriptuar mes tyre dhe Klea Ramës:

Nxënës: Për pjesën e lekëve askush nuk na ka kërkuar asnjë qindarkë.

Nxënës: Kjo skema juaj na harxhoi mundin dhe kohën, lekët s’janë asgjë.Klea Rama: Le të flasë drejtësia, edhe mbi mua, edhe mbi atë që ju ka marrë lekë e ju ka harxhuar kohë.

Por pse u shqetësua ambasada amerikane?

Cili mund të ketë qenë qëllimi final i kësaj skeme mashtruese?

Eksperti kriminalist Ervin Karamuço, tha për Faktoje, se “Nuk përjashtohet mundësia që paratë të kërkoheshin në një fazë tjetër, kur nxënësit të ndjenin se ndodheshin fare pranë ëndrrës amerikane dhe duhet të paguanin diçka. Është po ashtu e mundur që këta fëmjë dhe prindërit e tyre të jenë përfshirë në këtë skemë për qëllime politike dhe Ministria të jetë keqpërdorur.”

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit