Transmetuar më 23-07-2024, 20:53

Faton Hajrizi u vra të premten (19 korrik) nga policia serbe pas rreth 40 orësh në kërkim si i dyshuari për vrasjen e një polici serb dhe për plagosjen e kolegut të tij në Loznicë të Serbisë.

Shahrie Hajrizi, nëna e Fatonit, në një intervistë për emisionin “Jetë Shqiptare” në RTSH tregoi se vuajtjet e të birit filluan që në moshë të re.

“Fatoni ra në burg në moshën 15-vjeçare, në shkurt të vitit 2000, kur fatkeqësisht vrau një ushtar rus. E kemi dorëzuar për mos të rënë në kurth. Ka qëndruar në burgun famëkeq të Veriut të Mitrovicës”, tregoi Shahrie Hajrizi që jeton më Skënderaj.

Në atë burg, tregoi znj. Hajrizi, Fatoni i burgosur trajtohej keq.

“U arratis 9 herë nga burgjet e Kosovës duke kërkuar me çdo kusht lirinë. Im bir ishte një djalë shumë i shkathët, inteligjent dhe kishte aftësi të dhëna nga Zoti. Ka qenë djalë besnik, i dashur shumë, por fatkeqësisht na la.

Në moshën 15-vjeçare kur e sollën në gjykatë për veprën penale ai ishte i lidhur me zinxhir, edhe pse ishte një fëmijë. Ishte lidhur në qafë, në bel dhe në të dyja këmbët.“

Fatoni qëndronte në Veri të Mitrovicës, edhe pse nëna e tij kishte kërkuar të kalonte në një burg për minorenët.

“Djali duhet të kishte vuajtur dënimin në burgun e Lipianit për moshatarët e tij, ku mund të kishte vazhduar shkollimin dhe të trajtohej si i mitur.

Fatoni e ka dashur lirinë, por nuk e lanë.

Në 9 arratisjet që ka bërë Fatoni më vinte dhe më takonte, por nuk qëndronte në shtëpi. Arratisja nuk ishte shpëtim, se veç rëndohej. Fatoni kishte kryer 2/3 e dënimit dhe i kishin mbetur dhe 6 vjet. Ai kërkonte lirinë, po nuk ia mundësuan. Ka aplikuar për lirinë me kusht. Ia kanë refuzuar. Kemi aplikuar si prind dhe ai vetë për faljen e presidentes. Asnjëherë s’iu dha mundësia. Nuk donin. Donin ta shihnin si është sot".

Duke treguar rrugëtimin e fundit, znj. Shahrie thotë se nuk ishte dijeni për destinacionin e të birit.

“Shtetit ia dorëzova 15-vjeçar, shteti e mbajti 23 vjet. Me djalin e kam pasur kontaktin më 1 korrik deri në 3 korrik, që erdhi në fundjavë. Ka qenë shumë i rregullt, nuk na la përshtypje që do të largohej nga burgu në datën 6. Ai e ka dashur lirinë, por lirinë nuk ia dhanë kurrë, lirinë ia mohuan”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit