Transmetuar më 23-07-2024, 16:34

Policia e Shtetit finalizoi operacionin e koduar “Hoti”, në kuadër të të cilit u ekzekutuan masat e sigurisë të caktuara nga GJKKO për 5 persona.

Nga hetimet ka rezultuar se këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin, nëpërmjet dokumenteve false dhe mosregjistrimit në sistemin TIMS, kanë kaluar në PKK Hani i Hotit, shtetas shqiptarë që kishin destinacione Kanadanë dhe Amerikën.

Masa e sigurisë “Arrest në burg”, u ekzekutua për një 56 vjeçar, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave dhe i vizave” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Ndërkaq për 4 personat e tjerë, u ekzekutua masa e sigurisë “arrest në shtëpi”. Masat u vendosën për një 24 vjeç dhe 49 vjeçar, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim dhe për dy të tjerë, përkatësisht me detyra ndihmësspecialist, kontrollor i vijës së dytë në PKK Hani i Hotit dhe përgjegjës turni në PKK Hani i Hotit, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Në banesat e këtyre shtetasve u gjetën dhe sekeustruan 8125 euro, 625 000 lekë, 3060 dollarë amerikanë, 240 dollarë kanadezë, si dhe 17 celularë, 3 automjete, 1 USB, 21 fushekë, blloqe shënimesh, regjistra hyrje-daljesh, bileta udhëtimi, mandate pagesash dhe mandate bankash.

Operacioni u finalizua nga Sektori për Hetimin e Grupeve Kriminale në Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar në DPPSH, në bashkëpunim me DVP Shkodër, Forcën e Posaçme Operacionale, BKH-në dhe me Task Forcën “Joint Shield” të Agjencisë Federale të Shërbimit të Sigurisë Diplomatike të Ambasadës së ShBA-së në Tiranë, në kuadër të një procedimi penal të vitit 2023.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit