Transmetuar më 23-07-2024, 15:05

Dy personat u arrestuan pasi ndihmuan 32-vjeçarin të fshihte armën

Policia ka arritur të zbardhë të plotë ngjarjen e ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në Tiranë, ku 3 të rinj u plagosën me armë zjarri.

Mësohet se në pranga kanë rënë Dardan Zalli dhe Arjan Dushaj pasi akuzohen se kanë ndihmuar Edison Elezin, autori ne plagosjes, të fshihte armën e krimit. Elezi ndërkohë është shpallur në kërkim, pasi pas ngjarjes është arratisur.

Ngjarja ndodhi në një restorant në rrugën e Kavajës, ku fatmirësisht 3 të plagosurit, dy vëllezër dhe një 36-vjeçare janë jashtë rrezikut për jetën.

Fillimisht u raportua se gjithçka kishte ndodhur në mënyrë të pavullnetshme, ku gjatë një feste familjare 32-vjeçari Elezi kishte qëlluar me armë duke gërvishtur lehtë dy vëllezërit dhe duke qëlluar vajzën e re në bark.

Njoftimi i policisë:

Në vijim të veprimeve të shpejta hetimore, nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Tiranë, është bërë i mundur dokumentimi i plotë i autorësisë së ngjarjes, dhe si rezultat:

– u shpall në kërkim shtetasi E. E., 32 vjeç, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, parashikuar nga neni 88/2 i Kodit Penal;

– u arrestuan shtetasit A. D., 38 vjeç, dhe D. Z., 35 vjeç, të dy banues në Tiranë, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 301/25 i Kodit Penal.

Gjithashtu, gjatë kryerjes së veprimeve procedurale, si dhe këqyrjes së kamerave të sigurisë, është bërë e mundur gjetja e armës së zjarrit pistoletë TT, e cila dyshohet se është përdorur gjatë ngjarjes.

Pas kryerjes së krimit nga shtetasi E. E., dy të arrestuarit, i kanë marrë armën e zjarrit dhe më pas e kanë fshehur atë, me qëllim pengimin e zbulimit të veprës penale dhe të autorit të saj.

Materialet i kaluan Prokurorisë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit