Lezhë, 22 Korrik 2024 /noa.al- Dy djem 19 vjeçarë kanë rrëmbyer me makinë një djalë 2 vjet më të vogël duke kryer vepra të turpshme ngacmimi seksual me të dhe kanë arritur deri aty sa ta nxjerrin edhe live në TikTok.
Ngjarja është denoncuar dhe u bë objekt hetimi derisa sot, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Lezhë bënë arrestimin në flagrancë të dy të rinjve. Ata janë:
– Amarildo Gjoka, 19 vjeç, dhe Antonino Lleshi, 19 vjeç, të dy banues në Malsi, Njësia Administrative Kolsh, Lezhë.
Arrestimi i tyre u bë pasi një 17-vjeçar bëri kallëzim në Komisariatin e Policisë Lezhë, duke treguar se dje në mbrëmje më datë 21.07.2024, rreth orës 22:30, është marrë në automjet pa dëshirën e tij nga këta dy shtetas dhe është çuar në drejtim të fshatit Kolsh-Malsi, Njësia Administrative Kolsh, Bashkia Lezhë.
Pasi kanë ndaluar automjetin, këta dy djem e kanë shantazhuar 17-vjeçarin me video duke e nxjerrë "Live" në rrjetin social "TikTok" dhe duke e detyruar të përdorë fjalë fyese në video, veprime këto të cilat janë shoqëruar me dhunë fizike ndaj 17-vjeçarit, si dhe e kanë ngacmuar seksualisht.
Materialet procedurale në ngarkim të shtetasve të arrestuar A. Gj. dhe A. Ll. do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme për veprat penale, "Dëmtime të tjera me dashje", "Kanosja" dhe "Ngacmimi seksual".
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd