Transmetuar më 22-07-2024, 17:08

“Njeriu me bllok”, Basha i përgjigjet Metës: Ilir Meta simbol i pandëshkueshmërisë, nuk fsheh dot përgjegjësit e tij me mashtrimet ordinere. Drejtësia të hetojë deri në fund

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, akuzoi sot drejtpërdrejt Lulzim Bashën si përgjegjës për 21 janarin dhe njëkohësisht mori në mbrojtje Sali Berishën duke çmuar se ai nuk ka gisht në vrasjen e katër protestuesve më demonstratën e atëhershme të thirrur nga opozita socialiste e Edi Ramës.

Hetimi për ngjarjen tani është në dorën e SPAK dhe komenti i Metës për këtë zhvillim ishte goxha i ashpër:

"SPAK organizatë kriminale që drejtohet nga Dum-Dumani, e ka treguar shumë qartë këtë gjë… Dhe, padyshim sipas regjisë së Edi Ramës, drejtësia me regji, rihap 21 Janarin, dhe gjen dhe ditën sot gjoja, për të fokusuar këtë çështje.

Për, të mbuluar diskreditimin e Dum-Dumanit javën e kaluar në Parlament, përpara të gjithë shqiptarëve ku I mekej goja.

Dhe së dyti, SPAK. kërkon të mbajë në presion liderin e PD. Sali Berisha, dhe opozitën e vërtetë ndaj regjimit të narko-trafikantit Edi Rama.

Sepse, është shumë e qartë që nëse ka një përgjegjësi në 21 Janar, është një përgjegjësi direkte e Lulzim Bashës, ministrit të Brendshëm të asaj kohe.

I cili është paralajmëruar dhe zyrtarisht, për gjakderdhjen që parashikohej të bëhej nga banditët e Edi Ramës. Dhe e ka pasur dhe me letër, ka pasur dhe me shkresë të gjithë skenarin, dhe i cili nuk kishte marrë asnjë masë, as nga policia, as nga garda për të parandaluar ato vrasje të shëmtuar, që ndodhën në bulevard, dhe që ishin si rezultat i projektit gjakderdhës të vetë Edi Ramës.

Sepse, ishte ai nxitësi, frymëzuesi i dhunës së 21 Janarit. Kështu, që pas diskreditimit të plotë të procesit, për gjoja klubin Partizani, ku prapë për ndryshimin e destinacionit është Edi Rama, që ata nuk guxojnë as ti përmendin emrin në dosje, apo jo, tani risjellin një çështje ku është tepër e qartë, që bëhet për të sfumuar diskreditimin e Dum-Dumanit javën e kaluar në Parlament.

Dhe së dyti, për të mbajtur nën presion liderin e PD., pas diskreditimit të plotë të çështjes së klubit Partizani. Që kështu, nuk habitemi aspak nga këto lojëra të shëmtuar, neveritëse, të SPAK. dhe tutorëve të tij."

“Njeriu me bllok”, Basha i përgjigjet Metës: Ilir Meta simbol i pandëshkueshmërisë, nuk fsheh dot përgjegjësit e tij me mashtrimet ordinere. Drejtësia të hetojë deri në fund

Kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, i është përgjigjur Ilir Metës për deklaratat e tij për 21 janarin. Në një reagim në rrjetet sociale, Basha shprehet se drejtësia ka shumë për të zbardhur 21 janarin dhe ky hetim nis që nga Ilir Meta që është njeriu me bllok, tek Edi Rama që është organizatori i saj.

Në videon e shpërndarë në facebook kur Meta dhe Berisha përplaseshin në Parlament për 21 janarin me akuzat më monstruoze, kreu i Demokratëve Euroatlantikë shkruan se sot i njëjti person mbron Berishën.

Reagimi i Lulzim Bashës:

"Drejtësia ka shumë për të zbardhur për 21 janarin. Nga Ilir Meta, njeriu me bllok, te Edi Rama, organizatori i protestës me sebepin e bllokut, i cili më pas çuditërisht e bëri Ilir Metën pjesë të pushtetit dhe ata që i akuzonte si pjesë e grupit të zjarrit i emëroi kryetar të PS dhe të Bashkisë. E më pas e gjithë e vërteta deri në fund.

Mashtrimet ordinere dhe zig-zaget e përditshme nuk mund t’i fshehin faktet të cilat janë para syve të çdo shqiptari. I njëjti person që sot bën sikur mbron Sali Berishën, ka bërë akuza nga më monstruozet ndaj tij edhe në këtë rast.

Ilir Meta është simbol i pandëshkueshmërisë dhe i pazareve në kurriz të shqiptarëve dhe demokratëve. Pazaret, deliret dhe ankthet e tij kanë dëmtuar rëndë opozitën, ndërsa distancimi nga ai dhe të ngjashmit e tij janë kusht i pashmangshëm për fitoren e saj."

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit