Transmetuar më 22-07-2024, 13:27

Ish nënkryetari i bashkisë Tiranë për shtatë vjet si krahu i djathtë i Erion Veliajt dhe prej një viti në krah të Edi Ramës, si ministër, Arbian Mazniku ishte sot në SPAK ku u mbajt për tre orë rresht.

I pyetur nga gazetarët se për çfarë ishte thirrur, ministri nuk dha detaje, por tha vetëm se “u thirr për të dhënë sqarime për një çështje”.

Ndërsa Mazniku heshti, anëtari i kryesisë së PD, Belind Këlliçi akuzoi sot njëherësh kryebashkiakun Erion Veliaj dhe ish nënkryetarin e Bashkisë Tiranë, Arbjan Mazniku se kanë firmosur një marrëveshje për prishjen e 13 pallateve në Tiranë dhe ndërtimin e kullave në vend të tyre.

Nga dyert e SPAK ku brenda ndodhej ministri Arbjan Mazniku, Këlliçi tha se ministri aktual ka firmosur lejet e ndërtimit të pallateve përmes kompanisë 5D, që zotërohej nga disa drejtorë të bashkisë, të arrestuar më herët.

“Kjo Akt-Marrëveshje u firmos me qëllim prishjen e të paktën 13 pallateve në Tiranë, me justifikim e dëmtimit nga tërmeti i vitit 2019.

Kjo Akt-Marrëveshje kriminale është firmosur nga vetë Arbjan Mazniku në cilësinë e Titullarit të Autoritetit Kontraktor.

Në një kohë kur qytetarët nxirreshin prej leckash nga banesat e tyre, janë prishur 13 pallate në Tiranë në disa zona.

Me firmë të Maznikut, kjo marrëveshje i hap rrugë ndërtimit të pallateve nga kompania 5D duke lënë në rrugë qytetarët e Tiranës.

Mazniku i ka shembur me firmën e tij 13 pallate dhe ka firmosur për ndërtimin e të reja nga 5D.

Me sa duket kolegët e Erionit, nuk e shohin pronarin tjetër të 5D, i cili jo vetëm ka firmosur këtë marrëveshje, por e ka shtyrë afatin e saj disa herë, për të favorizuar kompaninë 5D dhe pazaret e tjera për ndërtimet e radhës.

Këtë Akt-Marrëveshje autentike po ia u lëmë sot kolegëve të Erionit përpara zyrave të tyre, që të kuptojnë se tentativa e tyre për amnistimin e Erion Hajdut Veliajt dhe Arbjan Nusret Maznikut, do të dështojë me sukses të plotë”, tha Këlliçi.

Këto akuza u bënë në kohën kur ish nënkryetari i bashkisë Tiranë, aktualisht ministër i Pushtetit Vendor, Arbjan Mazniku ndodhej në SPAK për çështje që zyrtarisht nuk bëhen të ditura.

Prokuroria e Posaçme ka vendosur në sekuestro kompaninë “5D Konstruksion” pasi dyshohet se ka përfituar miliona euro përmes tentenderëve zivë të dhënë nga disa ish drejtorë në bashkinë Tiranë.

Në kuadër të dosjes “5D” nën akuzë janë ish-zyrtarë të lartë të Bashkisë së Tiranës: Redi Molla, Mariglen Qato dhe Taulant Tusha.

Sipas SPAK, shoqëria “5D Konstruksion” përfitonte tendera përmes punime fiktive. Pas saj qëndronin pikërisht ish drejtorët e arrestuar duke përfituar këto para.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit