Tiranë, 22 Korrik 2024/noa.al- Pesë raste dhune në familje u regjistruan 24 orët e fundit në Tiranë, me vëllezër që rrahin motra apo prindër që përleshen me fëmijë dhe anasjelltas.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 arrestuan T. S., 26 vjeçe, banuese në Tiranë, pasi ka ushtruar dhunë ndaj nënës së saj.
Po orët e fundit u arrestua K. M., 30 vjeç, banues në Kukës, si dhe u procedua penalisht në gjendje të lirë vëllai tij i mitur 17 vjeç, sërish për veprën penale "Dhuna në familje".
Këta dy vëllezër akuzohen se kanë ushtruar dhunë fizike dhe verbale ndaj dy motrave të tyre.
Sakaq specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 arrestuan 34 vjeçarin E. T., banues në Tiranë, për veprat penale "Dhuna në familje" dhe "Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta".
I riu u prangos pasi ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, si dhe e ka kanosur atë me thikë.
Një tjetër rast edhe më flagrant i dhunës në familje u zbardh orët fundit kur specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 arrestuan shtetasit F. C., 44 vjeçe, dhe A. C., 26 vjeç.
Nënë e bir, që të dy banues në Tiranë, akuzohen për veprën penale "Dhuna në familje", pasi kanë ushtruar dhunë ndaj njëri-tjetrit.
Një tjetër rast ishte ai i zbuluar nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 të cilët arrestuan shtetasin E. L., 42 vjeç, banues në Tiranë.
Edhe ai akuzohet për veprën penale "Dhuna në familje", pasi ka ushtruar dhunë ndaj babait të tij. /noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd