Transmetuar më 21-07-2024, 21:55

Gramsh, 21 Korrik 2024 /noa.al- Policia e Shtetit doli sonte me informacion të ri mbi ngjarjen tronditëse në qytetin e Gramshit ku një makinë u hodh në erë në lëvizje duke shkaktuar plagosjen e dy vëllezërve.

"Në lidhje me një shpërthim të ndodhur në lagjen "Xhile Liçi", Gramsh, në automjetin tip "Ford Focus", që drejtohej nga shtetasi A. M., gjatë kohës që automjeti ka qenë në lëvizje dhe për pasojë mbetën të dëmtuar dy vëllezërit që udhëtonin në këtë automjet, ju informojmë se:

Për sqarimin dhe dokumentimin e këtij rasti u ngrit një grup i posaçëm hetimor dhe në vendngjarje shkoi edhe njësia antieksploziv e Repartit Special Renea, për të kryer ekzaminime të mekanizmit e rrethaneve që kishin ndikuar në shpërthimin e ndodhur në automjet.

Në përfundim të veprimeve të para, rezultoi se nuk ka pasur shpërthim nga jashtë të automjetit (pra nuk kemi të bëjmë me lëndë eksplozive) por dyshohet se drejtuesi i automjetit ka pasur në kroskotin e automjetit lëndë plasëse të dyshuar Amonit Malor, me fuqi të ulët veprimi, lëndë e cila dyshohet se ka shpërthyer për shkak të nxehtësisë.

Nga tërësia e veprimeve të kryera rezulton se kemi të bëjmë me një ngjarje aksidentale dhe nuk ka asnjë indicje për veprim kriminal ndaj të dëmtuarëve.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për sqarimin e dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti."

Ngjarja ndodhi pasditen e sotme kur shpërtheu në lëvizje automjeti tip fort Focus i shtetasit Algert Mine.

Në momentin e shpërthimit në automjet kanë qenë dy vëllezërit Algert dhe Erald Mine.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit