Transmetuar më 21-07-2024, 07:54

Memaliaj është një ndër qytetet më të vogla në Shqipëri, por disa herë, emblemë e masakrave të rënda. Një e tillë ndodhi pak para mesnatës duke gdhirë e diela në qendër të qytetit, te një lokal mu para bashkisë, në lagjen 3.

Rreth orës 23:20, në lokalin e shtetasit K. K., në rrethana ende të paqarta janë vrarë me armë zjarri automatik kallashnikov, tre burra.

Viktimat janë Shyqyri Kalemi, 74 vjeç, Marsel Çela, 47 vjeç dhe Gledio Muka, 36 vjeç. Ata u qëlluan me breshëri kallashnikovi, raporton noa.al.

Po ashtu ka mbetur i plagosur shtetasi Artur Kalemi, 57 vjeç, i cili është transportuar për në spital, për të marrë ndihmë mjekësore.

Një nga viktimat, Shyqyri Kalemi, është babai i Andrea Kalemit, kushërii Aleksandër Sadikajt i vrarë me eksploziv në Tiranë në korrik 2022.

Andrea Kalemi dyshohet të jetë i përfshirë në vrasjen e biznesmenit Edmond Papa në dhjetor 2022.

Dy viktimat e tjera të moshës 36 dhe 47 vjeç, ishin kamarieri dhe një klient i lokalit.

Në drejtim të Memaliajt janë nisur Forcat Speciale Renea, Forcat Kombëtare të Sigurisë si dhe drejtues të lartë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se autorët menjëherë pas ngjarjes janë larguar me shpejtësi në drejtim të Mallakastrës me një automjet të cilin dyshohet se e kanë djegur në fshatin Bejaj, Mallakastër.

Forcat Kombëtare të Sigurisë dhe Renea kanë shkuar në vendin ku po digjet automjeti, kanë rrethuar zonën dhe vijojnë kontrollin për kapjen e autorëve.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit