Transmetuar më 20-07-2024, 10:13

Një prej të akuzuarve për skandalin e mikrokredive në Tiranë, Olsi Ibro, i cili ishte në hetim penal u gjet i vdekur sot pasi dyshohet se është vetëvrarë, raporton noa.al.

Policia tha se sot në rrugën "Ramazan Shijaku", dyshohet se është vetëhedhur nga lartësia e një pallati në ndërtim e sipër, 45 vjeçari Olsi Ibro, i cili si pasojë e dëmtimeve të marra, ka ndërruar jetë në vendngjarje.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Hetimi për skandalin e mikrokredive ka nisur pas një kallëzimi të bërë nga Ministria e Drejtësisë në vitin 2020 ndaj subjekteve Micro Credit Albania, ADCA, Shoqërisë Përmbarimore Zig, FS, FLASH si dhe përmbaruesve të tyre për krijim “skeme mashtruese dhe piramidale”, pas dyshimeve se përmbarues, avokatë e noterë ishin bërë bashkë, duke futur në kurthe financiare mijëra qytetarë.

Një ditë më parë me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës gjykata aprovoi sekuestron preventive ndaj dy shoqërive Micro Credit Albania dhe “Final”, të dyshuara se kryen mashtrim me pasoja të rënda në dëm të mijëra qytetarëve si dhe pastruan para.

Dy shoqëritë e sekuestruara në bashkëpunim me ADCA dhe shoqëri përmbarimore krijuan një skemë për të vjedhur qytetarët në vlera disa milionë euro.

Ndërsa gjykata aprovoi sekuestrimin krimi ekonomiko financiar kreu inventarin e dosjeve në selitë e të dyja shoqërive.

Prokuroria thotë se përmes presionit psikologjik dhe përndjekjes qytetarët u detyruan të merrnin kredi të dyta.

Si  funksiononte skema e vjedhjes prej 9 të dyshuarve

Referuar hetimit të Prokurorisë së Tiranës, kundrejt një shumë prej 450 mijë eurosh, shoqëria Micro Credit Albania, ka marrë nga një bankë e nivelit të dytë 3999 kredi të konsideruara të këqija dhe të pashlyera ndër vite me një shumë totale prej 7.299.203 euro.

Skema shtrënguese e kredimarrjes nëpërmjet vjedhjes imponohej për debitorët që kishin borxhe të vjetra tek banka e nivelit të dytë, të cilëve u bllokohej nga shoqëritë përmbarimore rrogat, pronat, makinat.

Për likuidimin e këtyre kredive te blera, nga MCA është përdorur vjedhja, duke i detyruar kreditorët që të marrin kredi të reja pranë këtij institucioni financiar, për të zhbllokuar të vjetrën, që përsëri e dispononte si portofol agjencia financiare MCA.

Me marrjen e një kredie të re nga kreditori pranë agjencisë financiare MCA zhbllokohej përkohësisht pasuria dhe llogaritë e kreditoreve, por më vonë agjencia financiare MCA shfaqej me kërkesën për likuidimin e shumave të tjera.

Nga ana tjetër, hetimi ka vërejtur se sekuestrot janë shtrirë edhe ndaj personave që nuk kanë lidhje me ekzekutimet e vendimeve gjyqësore. Rasti më flagrant i kësaj natyre është ai ndaj një qytetari ku Micro Credit Albania për një detyrim të pashlyer prej gati 3.5 milionë lekësh të vjetër i ka sekuestruar 14 pasuri të paluajtshme.

Po sipas hetimit, përmbaruesit kanë shtuar kamatat e vonesave në mënyrë të paligjshme, duke vjedhur debitorët, në një kohë që shumën e përcaktuar në titullin ekzekutiv e përcakton vetëm gjykata.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit