Transmetuar më 19-07-2024, 13:52

TIRANA- Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka njoftuar se Aeroporti i Tiranës nuk është prekur nga problemet e sistemit të IT, të cilat kanë përfshirë shumë shtete në botë. Bëhet me dije se sistemi i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës nuk preket nga rënia e sistemeve kompjuterike globale, por vonesa pritet të shkaktohen nga “black out” në aeroportet e tjera.

“Situata e krijuar mëngjesin e sotëm nga ndërprerje të funksionimit të sistemeve kompjuterike, në nivel global, që ka prekur shërbimin e sistemit të check-in dhe rezervimit, në disa aeroporte ndërkombëtare, nuk ka afektuar për momentin Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”.

Fluturimet e orareve të mëngjesit janë nisur në kohë dhe pa probleme. Kjo pasi Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka një sistem të dyfishtë, i cili mundëson funksionimin pa probleme të tij.

Gjithsesi vonesa pritet të shkaktohen në orët në vazhdim nga fluturimet që do të vijnë nga aeroportet e tjera në varësi të sistemeve të ndryshme të operimit. Duke kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve për këtë situatë të krijuar, ju lutemi të informohen në vijimësi përmes zyrës së informacionit të TIA për oraret e fluturimeve dhe ndryshimin e mundshëm të tyre”, njofton ministria.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit