Transmetuar më 19-07-2024, 11:45

Është zbardhur plagosja me armë që ndodhi pasditen e djeshme në qytetin e Durrësit, ku 31-vjeçaro Adil Hidrizi qëlloi me pistoletë 70-vjeçarin, Fadil Hunda.

Burime bëjnë me dije se shkak për plagosjen është bërë borxhi i pashlyer që kishte njëri prej djemve të të moshuarit.

Autori i dyshuar është afruar me automjetin e tij, rreth orës 19.30 pranë lokalit ku ndodhi ngjarja dhe është konfliktuar me babanë e personit që i kishte marrë borxh dhe nuk ia kthente prej kohësh.

I plagosuri si zakonisht po qëndronte në lokalin pranë shtëpisë së tij.

Më pas autori ka shkuar në automjetin e ndaluar në mes të rrugës dhe ka marrë pistoletën duke qëlluar disa herë në drejtim të Hundës, të cilin e kanë kapur dy plumba.

Një patrullë policore e shërbimeve operacionale dhe atyre Shqiponja që ndodhej në zonë ka reaguar në kohë duke ndaluar 31-vjeçarin që tentoi të largohet nga vendi i ngjarjes.

Në polici ai ka pranuar autorësinë e plagosjes dhe motivin e krimit.

Policia gjeti në brendësi të lokalit dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit pistoletë, ndërsa në polici është shoqëruar edhe një 56 vjeçar, që ishte bashkë me autorin e dyshuar në momentin kur ndodhi ngjarja.

I plagosuri ndodhet në spital në gjendje jo të mirë shëndetësore, ndërsa grupi hetimor po vijon hetimet për sqarimin dhe dokumentimin e mëtejshëm ligjor të kësaj ngjarjeje.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit