Transmetuar më 17-07-2024, 17:05

Pas përfundimit të fjalës së Kryeministrit, disa drejtues të bashkive u shprehën lidhur me temën e legalizimeve, por pati një përplasje mes Edi Ramës dhe Pjerin Ndreut.

Rama foli për rindërtimin duke lëvduar Shijakun dhe njëkohësisht duke kritikuar Ndreun:

"Kam një fjalë për ty, Eltonin. Ti ishe kampioni i rindërtimit. E bëre Shijakun avangardën e rindërtimit. Duhet të bëhesh kampioni i legalizimeve. Dakord? Sepse kur i thosha Pjerin Ndreut merr shembull nga Shijaku për rindërtimin, thoshte rindërtimi për ne është punë e vogël. Tani duhet që shembullin tënd t’ia tregoj Pjerin Ndreut dhe t’i them ja si bëhen legalizimet se nuk do rrimë vetëm duke të lavdëruar ty policia".

Në vijim foli Pjerin Ndreu i cili u ndal te problemi me legalizimet duke thënë: "E para punës duhet të themi atë që ka qenë. Ne kemi qenë në të gjitha pikat që themi në bashkëpunim ç’është e vërteta, bashkia me legalizimet dhe jo kemi qenë në bashkëpunim, por gjatë gjithë periudhës që kur ka filluar ky proces bashkitë kanë qenë në komunikim të drejtpërdrejtë".

Këtu ndërhyri Rama i cili tha se "tani është më shumë sesa kaq", duke pasuar reagimin e ish kryepolicit Pjerin Ndreu: "Për mua ka vetëm një problem, s’është reflektuar disa nga ata që kemi diskutuar ne në këshillin konsultativ, duhet të ishte me dispozita më detyruese. Nuk them se nuk është e zbatueshme, por disa gjëra duhet të ishin më të përcaktuara. Dhe ne kemi diskutuar disa gjëra të tjera, mund ta bëjmë më mirë, shkurt muhabeti. Mund ta bëjmë më mirë, mund ti dedikojmë detyrat më saktë, mund të bëjmë disa dispozita detyruese ku bashkia merr përsipër ama atë që adreson bashkia, ASHK duhet ti shikojë si prioritare, sepse evazive kjo punë. Ne kemi një rol honorifik aty, duhet të vendosim, por kë do vendosim e sa duhet të jetë numri i njerëzve apo do të jetë fleksibel nga bashkia në bashki".

Këtu nisi rrebeshi i Ramës: "Këto janë të gjitha, jo nuk je shumë i qartë këtu. Nuk je i qartë sepse u çove vetëm se të doli emri. Sepse nuk ishe i përgatitur, si zakonisht. Por këto janë të gjitha të sqaruara dhe unë e thashë. Këtë proces do të udhëheqë bashkia nuk do ta udhëheqë Kadastra dhe do të jetë bashkia që do të vendosë prioritetet, do thotë: ky është grupi prioritar, këto dosje janë prioritare, çdo javë dhe Kadastra do duhet t’i marrë të bëjë regjistrimin dhe për çdo gjë që sipas jush, sipas zyrave nuk shkon, do duhet të referohet tek ministri i cili është koordinatori i këtij procesi.

Në këtë mënyrë të dyja palët bëjnë punën e tyre dhe kontrollojnë njëra tjetrën sepse nëse e lëmë vetëm në një dorë prapë do kemi probleme. Ndërsa kështu njëra dorë ia jep tjetrës, të dyja bashkë lajnë fytyrën dhe me këtë konkluzion të policisë ju falënderoj të gjithëve dhe punë të mbarë", përfundoi plot ironi Rama duke i kujtuar Ndreut të qenit në vite në polici. /noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit