Transmetuar më 15-07-2024, 15:31

Qeveria e Kosovës, dhe kryeministri Albin Kurti janë në shënjestër nga disa media që e akuzojnë se po bën spektakël me pushuesit që kanë nisur të shfaqen në liqenin e Ujmanit.

Sipas raportimeve, pushuesit janë të organizuar nga Vetëvendosje, dhe dërgohen në liqenin e Ujmanit në mënyrë të koordinuar dhe të mirëorganizuar. Pasi bëjnë plazh aty, ata filmohen dhe pamjet shpesh i shpërndajnë deputetët e Kurtit, shoqëruar me mesazhe patriotike dhe suksesi.

Thuhet se mes pushuesve janë parë edhe zyrtarë të Vetëvendosjes, ndërsa grupi i pushuesve që është filmuar teksa noton në liqen, është parë të ruhet nga njësitë policore të forcave speciale të Kosovës.

Liqeni i Ujmanit përdoret për ftohje të termocentraleve në Obiliq, për furnizim me ujë për disa komuna si dhe për ujitje në disa rajone të Kosovës. Në rast të thatësisë, uji nga Ujmani përdoret për mbushje të dy liqeneve afër Prishtinës, atij të Batllavës dhe Badovcit.

Kujtojmë se Ujmani ka qenë një farë zone e ndaluar për vendasit, gjatë periudhës që aty banonte në vilën e tij luksoze, krimineli famëkeq serb Milan Radoiçiç.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit