Transmetuar më 15-07-2024, 12:09

Kupa e Botës 2022, titulli kampion i Serie A (2024) dhe  “Copa America” (2024). Me golin vendimtar në minutën e 6-të të kohës shtesë, në finalen kundër Kolumbisë, Lautaro Martinez plotëson një vit e gjysmë të mrekullueshëm në planin sportiv.

Një “hat-trick” ëndrrash që e çoi atë të fitonte dy trofetë më të rëndësishëm me kombëtaren argjentinase dhe të ngrinte në qiell si kapiten edhe titullin e Kupën e Italisë me Interin.

18 muaj, të cilët ishin gjithashtu pothuajse një “roman pjekurie” për “Toro”, i cili kaloi momente të vështira, që farkëtuan karakterin e tij deri në atë pikë sa e shndërruan në një bomber të pamëshirshëm, si dhe një lider të madh.

Ja si u shpreh ai, pas “bilbilit” të fundit të finales së “Copa America”: “Kur përfundoi Kupa e Botës në Katar dhe mora medaljen e artë, isha shumë i kënaqur me atë që kishim arritur, por personalisht e dija se isha në borxh, sepse kyçi i këmbës nuk më lejonte të bëja atë që doja.

Sigurisht, Kupa e Amerikës nuk është e njëjtë me Kupën e Botës, por mund të them se u përgatita sa më mirë që të përballesha me këtë kompeticion dhe ta hiqja “gjembin” që kisha nga vetja”.  

Kapiteni i Interit përfundoi edhe si golashënuesi më i mirë i “Copa America” 2024, me 5 gola (3 prej të cilëve vendimtarë), në vetëm 225 minuta lojë, duke pasur parasysh se ka startuar vetëm dy herë. Mesatarisht, ai shënon një gol për gjysmë ore lojë.

Edhe trajneri Scaloni i ka lartësuar cilësitë e tij si lojtar i aftë për të ndikuar edhe gjatë ndeshjes në zhvillim: "Ndryshimet u krijuan për të siguruar që skuadra të mund të përmirësohej. Ne menduam se Lautaro, nëse do të kishte një mundësi, do të shënonte. Dhe ai nuk i zhgënjeu pritshmëritë”. 

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit