Transmetuar më 12-07-2024, 11:00

"Ne prezantojmë bluzat dhe veshjet zyrtare të Kylian Mbappe, lojtarit tuaj të preferuar! Koleksioni përfshin numrin dhe emrin zyrtar të Mbappe në anën e pasme, ju mund të zgjidhni uniformat e Champions League ose La Liga".

Me këtë mesazh, Real Madridi jep sinjalin e nisjes së blerjeve për tifozët e tij, pasi fanella e francezit doli në shitje pasi u zyrtarizua se ai do të mbante numrin ‘9’.

Dhe i tillë ka qenë ndikimi i tij…, sa nuk u desh shumë kohë që dyqani online i “Los Blancos” të kolapsohej. Tashmë po shfaqet një mesazh paralajmërues për vonesën që mund të ketë në dorëzimin e këtij koleksioni te porositësit. Një “minierë ari” për të bardhët, me sulmuesin transalpin që dëshiron të shkruajë histori në botën e futbollit.

"Për shkak të kërkesës së lartë aktuale, artikujt në këtë koleksion mund të kenë një vonesë në dorëzim deri në 4-6 javë të tjera, pavarësisht nga mënyra e transportit të zgjedhur.

Kjo vonesë do të ndikojë si porositë ekskluzive për koleksionin Mbappé, ashtu edhe ato që kombinojnë produktet nga koleksioni Mbappé me produkte të tjera nga dyqani online”, – njoftoi Real Madridi në faqen e tij të internetit ditën e parë që koleksioni i Kylian për sezonin 2024-2025 doli në shitje.

Pasi bëmë një simulim në dyqan me futbollistë të tjerë (është testuar me Carvajal, Rodrygo, Bellingham…), normale koha e pritjes është më e shkurtër.

"Artikujve të personalizuar do t’iu duhen 3-4 ditë pune shtesë për përpunim dhe opsioni i transportit”, – shkruhet në mesazhin kur shkoni te “karroca” për të blerë pjesën tjetër të bluzave të bardha.

Kështu, Mbappé e ka “rrëzuar” Real Madridin qysh në ditën e tij të parë në dyqanin online. Shitja e fanellave të tij është duke e tejkaluar atë që klubi madrilen kishte planifikuar prej muajsh dhe nuk ka zgjidhje tjetër veçse t’iu kërkojë tifozëve durim derisa ta zgjidhin ‘problemin’.

Fanella e Kylian, e cila është në rrugën e saj për të thyer të gjitha rekordet brenda ‘shtëpisë së bardhë’, është pjesa e parë e një enigmë që shpreson të përfundojë në ditën e prezantimit të francezit.

“Santiago Bernabeu” pritet të jetë plot të martën e ardhshme, më 16 korrik. Një ngjarje shumë e veçantë si për tifozët e Real Madridit, ashtu edhe për lojtarin. Një mundësi e përkryer për t’u pajtuar me fansat, pas “telenovelës” së nënshkrimit të tij.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit