Transmetuar më 11-07-2024, 19:22

Me 59 vota për dhe dy abstenime Parlamenti i Kosovës miratoi të enjten në lexim të dytë projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave, mes kundërshtimeve të opozitës që bojkotoi seancën, si dhe të Bashkimit Evropian, shoqatave të gazetarëve dhe organizatave të shoqërisë civile.

Ky projektligj, mes tjerash, parasheh licencimin e mediave online, monitorimin e tyre nga Komisioni i Pavarur i Mediave dhe dënime me gjoba të rënda për mediat që kryejnë shkelje ligjore.

Miratimi i deklaratës për gjenocidin në Srebrenicë, Kurti: Kosova nuk harron dhe as nuk i fal krimetProjektligji i cili u miratua në lexim të parë në muajin mars iu nënshtrua një vlerësimi të Bashkimit Evropian i cili kërkoi mes tjerash qartësimin e kërkesave për licencimin dhe regjistrimin e medieve në përputhje me standardet evropiane dhe qartësimin e sanksioneve dhe gjobave ndaj medieve.

Edhe Misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë shprehu shqetësimin me disa prej aspekteve të miratimit të ligjit të ri për KPM-në.

“Rekomandimet kryesore të ekspertëve që nuk janë marrë parasysh kanë nxitur shqetësime rreth dispozitave të reja të cilat do të kenë ndikim në përbërjen, rolin dhe përgjegjësitë e KPM-së” thuhet në njoftimin për media, ku ndër të tjera theksohet se “shtrirja e kompetencave të KPM-së në mediat sociale, shoqëruar me mungesën e kritereve të qarta për bllokimin e përmbajtjeve të dëmshme, ngre shqetësime për baraspeshën dhe mund të ketë ndikim në lirinë e shprehjes”.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e vlerësoi miratimin e projektligjit si goditje ndaj lirisë së medies dhe tentim për disiplinim e kontrollim të tyre.

“Partia politike në pushtet nuk i ka marrë parasysh vërejtjet e shoqërisë civile dhe mediave dhe ka shpërfillur raportin e ekspertes së Këshillit të Evropës, që ka konstatuar se pjesa më e madhe e ligjit nuk i përmbush standardet evropiane, duke përfshirë ato të Këshillit të Evropës ku Kosova synon anëtarësimin”, thuhet në reagim, ku bëhet thirrje për shfrytëzimin e të gjitha mjeteve ligjore dhe kushtetuese për ta kundërshtuar hyrjen në fuqi të ligjit.

Sekretari i Federatës Evropiane të Gazetarëve, Ricardo Gutierrez, tha në një reagim në rrjetet sociale se “sot është një ditë e zezë për lirinë e medias dhe demokracinë në Kosovë”.

Në fillim të seancës së parlamentit Partia Demokratike e Kosovës, mbështetur nga partitë tjera opozitare, kërkoi heqjen e këtij projektligji nga rendi i ditës por ky propozim nuk mori votat e nevojshme dhe opozita braktisi punimet e parlamentit.

“Mendoj që mund të punojmë së bashku sidomos në ligjin që e cenon fjalën e lirë dhe median e lirë në vendin tonë dhe konsiderojmë që një angazhim i joni i përbashkët mund ta nxjerr vendin prej kësaj situate. Ju e keni parë në vazhdimësi edhe asociacionet ndërkombëtare të medias dhe shoqërisë civile që kanë akuzuar në vazhdimësi për cenimin e fjalës së lirë përmes këtij projektligji”, tha Abelard Tahiri nga Partia Demokratike e Kosovës.

“Si Kuvend i Republikës së Kosovës nuk duhet të lejojmë që diçka e tillë të ndodhë nën përkujdesjen tonë dhe me vetëdijen tonë”, tha Arben Gashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Ka ankesa jo vetëm nga ne si opozitë por nga të gjitha instancat ndërkombëtare. Kërkesa ime është mos e votoni për shkak se do ta merrni etiketën që ja keni bërë një dëm afatgjatë Kosovës”, tha Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Qeveria e Kosovës e miratoi këtë projektligj në dhjetor të vitit të kaluar duke e cilësuar atë si një reformë të nevojshme në fushën e medias.

Kryesuesi i Komisionit parlamentar për media nga radhët e partisë në pushtet Valon Ramadani, tha se komisioni ka shqyrtuar me seriozitet të gjitha rekomandimet e institucioneve vendëse dhe ndërkombëtare.

“Kemi pasur komente të shumta si nga organizatat vendore, shoqëria civile dhe OSBE, BE dhe Këshilli i Evropës. I kemi analizuar të gjitha ato komente me seriozitet dhe në fund ka rezultuar që janë 93 amendamente që e ndryshojnë edhe në përbërje këtë projektligj”, tha ai.

Për të hyrë në fuqi, pas miratimit në parlament projektligji duhet të nënshkruhet nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Por, shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, paralajmëroi në një reagim me shkrim se do ta dërgojë projektligjin në Gjykatën Kushtetuese.

Flutura Kusari, juriste e medias, shfaqi shpresën se Gjykata Kushtetuese nuk do të lejojë jetësimin e këtij projektligji.

“Miratimi i këtij ligji është grushti më i fortë që ky pushtet ia ka dhënë lirisë së medias deri më tani dhe pasojat do të jenë afatgjate”, i tha zonja Kusari Zërit të Amerikës.

Media online në Kosovë aktualisht vet rregullohet nëpërmjet Këshillit të Mediave të Shkruara duke u mbështetur në Kodin e Mediave të Shkruara të Kosovës.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit