Transmetuar më 12-07-2024, 08:30

As italiani Orsato, as eksperti polak Marciniak. Arbitri i finales së “Euro 2024” është një emër surprizë.

Dizenjatori i UEFA-s, Roberto Rosetti, ka zgjedhur një arbitër të ri dhe në zhvillim për të bërë drejtësi në Spanjë-Angli.

Zgjedhja në fakt ka rënë mbi francezin François Letexier, i cili do të mbështetet nga bashkatdhetarët e tij Cyril Mugnier e Mehdi Rahmouni, me Marciniak si gjyqtar i katërt.

VAR-i iu besua francezit tjetër Je’rôme Brisard, i ndihmuar nga Willy Delajod dhe Massimiliano Irrati. Polaku Tomasz Listkiewicz do të jetë ndihmësi rezervë.

Por cili është arbitri i finales së “Euro 2024” dhe pse e zgjodhi Rosetti? François Letexier është vetëm 35 vjeç, siç u përmend konsiderohet një arbitër i ri në skenën europiane.

Letexier gëzon respektin më të madh nga Rosetti, i cili ka vendosur t’i besojë atij ndeshjen më delikate të turneut, pra atë që do të japë trofeun e “Euro 2024”.

Përpara finales së Berlinit, Spanjë-Angli, arbitri francez ka gjykuar tashmë tri ndeshje në “Euro 2024”: Kroaci-Shqipëri dhe Danimarkë-Serbi në fazën e grupeve, pastaj Spanjë-Gjeorgji në 1/8 finale.

Letexier gjithashtu mori drejtimin e pesë ndeshjeve në edicionin e fundit të Ligës së Kampionëve, duke përfshirë çerekfinalen spektakolare midis Real Madridit dhe Manchester City në “Bernabeu”.

Francezi gjykoi finalen e fundit të Superkupës së Europës mes Manchester City dhe Sevilla. Letexier u preferua para italianit Orsato për këtë finale, i cili e mbylli zyrtarisht karrierën e tij me çerekfinalen mes Zvicrës dhe Anglisë.

Gjithashtu mposhti rivalitetin e bashkëkombasit Turpin dhe mbi të gjitha favoritit të madh Szymon Marciniak, ish-arbitri i finales së Botërorit të fundit mes Argjentinës dhe Francës. Kësaj here polakut iu desh të kënaqej me rolin e gjyqtarit të katërt.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit