Transmetuar më 11-07-2024, 12:37

Nesër tek Interi pritet nënshkrimi i kontratës së re nga trajneri Simone Inzaghi. Trajneri kampion italian do të kthehet në Milano mbrëmjen e sotme dhe pas 24 orësh do të jetë në seli për të përcaktuar detajet përfundimtare të marrëveshjes së re, së bashku me agjentin e tij Tullio Tinti.

Siç raporton “Corriere della Sera”, marrëveshja përfundimtare ende nuk është arritur. Kjo pasi Inzaghi kërkonte kontratë deri më 30 qershor 2027, ndërsa Interi nga ana e tij i dha marrëveshje vetëm deri në vitin 2026.

Në atë moment, trajneri zikaltër i kërkoi klubit të tij një përpjekje të mëtejshme financiare për marrëveshjen me vlerë 6.5 milionë euro neto në vit, plus bonuse. Ky aspekt do të diskutohet nesër, para nënshkrimeve, të cilat gjithsesi nuk duket se janë në dyshim.

Prezantimi i sezonit të ri është planifikuar pikërisht për nesër. “Të premten, më 12 korrik, në orën 17:00, në selinë e Interit, – lexojmë në njoftimin për shtyp të lëshuar këtë javë, – presidenti Giuseppe Marotta do të prezantojë sezonin sportiv 2024-2025. Më pas, trajneri i zikaltërve, Simone Inzaghi do t’iu përgjigjet pyetjeve të gazetarëve në konferencën për shtyp”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit