Transmetuar më 11-07-2024, 12:22

Holanda e humbi gjysmëfinalen e Kampionatit Europian ndaj Anglisë 2-1. Penalltia e Harry Kane rezultoi vendimtare, e riktheu ndeshjen nën kontroll, teksa po shkonte e përpjetë për anglezët, qysh në minutën e 16-të.

Arbitri Felix Zwayer penalizoi ndërhyrjen e Denzel Dumfries, i cili e goditi në këmbë sulmuesin Harry Kane. Sulmuesi në fjalë nuk gaboi nga pika e bardhë, duke nisur përmbysjen e rezultatit, i cili më pas u kompletua nga Ollie Watkins në minutën e 90-të.

Nga studiot e ITV në Angli, megjithatë, jo të gjithë ishin dakord me këtë vendim të arbitrit gjerman. Ish-mbrojtësi i kombëtares angleze dhe Manchester United, Gary Neville, deklaroi për këtë çështje:

"Si ish-mbrojtës them se ky vendim i arbitrit ishte turp absolut. Vendim skandaloz për një penallti të tillë, pa marrë parasysh se kur, dhe veçanërisht jo në një lojë kaq të rëndësishme, Dumfries hyn dhe përpiqet të bllokojë goditjen”.

Një tjetër ish-mbrojtës i mrekullueshëm, Jamie Carragher, gjithashtu komentues sot, ndan këtë mendim dhe shkruan nga profili i tij në X: “Kurrë nuk mund të jetë penallti”.

Për më tepër, Zwayer fillimisht nuk e kishte fishkëllyer penalltinë, duke mos e gjykuar menjëherë faullin e supozuar, por pas ndërhyrjes së VAR-it ndërroi vendim.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit