SHBA- Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickovski, i cili drejton delegacionin e Maqedonisë së Veriut që po merr pjesë në Samitin e NATO-s në Uashington, shfrytëzoi rastin të prezantojë disa tema të rëndësishme për Maqedoninë e Veriut me interes për rajonin e gjërë.
Në ligjeratën e mbajtur në universitetin Johns Hopkins, kryeministri Mickovski ka paralajmëruar një luftë të pakompromis ndaj korrupsionit. Nëse duam të ketë drejtësi duhet shkatërruar koalicioni mes disa politikanëve, gjyqtarëve, prokurorëve dhe elitës së biznesit, tha Mickovski.
"Ne duhet të ballafaqohemi me krimin dhe korrupsionin nëse duam të zhvillojmë shtetin tonë për brezin e ardhshëm. Ka një koalicion të madh ndërmjet elitave të caktuara politike, gjykatësve, prokurorëve dhe elitave të biznesit dhe ne duhet ta shkatërrojmë atë koalicion, nëse duam ta zhvillojmë shtetin tonë dhe nëse duam të sjellim drejtësi siç duhet të jetë. Në të kundërtën, do të dështojmë si të gjithë paraardhësit tanë dhe do të humbasim”, tha Hristijan Mickoski.
Përplasje për reformat në gjyqësor
Mickoski nuk ka lënë pa përmendur edhe çështjen më të nxehtë për reforma në gjyqësor, respektivisht për shpërndarjen e Këshillit të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve. Për këtë nismë të kryeministrit, ai u përplas me ambasadorët e BE-së dhe SHBA-së në vend, të cilët deklaruan se me këtë, pushteti ekzekutiv përzihet në punët e pushtetit gjyqësor.
"Shpërndarja e organeve të pavarura gjyqësore ishte premtim parazgjedhor i VMRO-DPME-së, dhe e njëjta është bërë pjesë e programit qeveritar. Reformat në gjyqësor, qeveria do t’i bëjë edhe nëpërmjet miratimit të ligjeve të reja për Procedurë Penale, Prokurori por edhe miratimit të Kodit të ri Penal. Nëpërmjet tyre, parashikohet të parandalohet ndikimi dhe nepotizmi në procedurat për zgjedhjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, është shprehurkryeministri Mickovski.
Raportet e Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë dhe Greqinë
Kryeministri Hristijan Mickoski u prononcua edhe për fillimin e negociatave për anëtarësimin e RMV-së në BE. Ai me këtë rast ka theksuar se nuk ka garanci për një kërkesë përfundimtare në bisedimet me Bullgarinë.
"Ne nuk do të jemi të gatshëm të fillojmë negociatat, nëse nuk përfshijmë në Kushtetutë disa qindra qytetarë tanë, që do të thotë se ata janë pjesë e pakicës bullgare në Maqedoni. Kush mund të na garantojë se kjo është kërkesa e fundit e Bullgarisë.
Në Gjykatën për të Drejtat e Njeriut në Strasburg kemi 14 vendime që thonë se janë shkelur të drejtat e komunitetit maqedonas në Bullgari. Dhe këtu shtrohet një pyetje logjike se kujt i shkelen të drejtat”, tha Mickoski. Duke folur për veton e Bullgarisë, ai theksoi se duhet të diskutohet për marrëdhënie reale të mira fqinjësore, por ato të jenë të dyanshme.
"Ne do të mbrojmë interesat tona, jemi të gatshëm të diskutojmë argumentet, t’i paraqesim ato, të shohim se argumentat e kujt do të mbizotërojnë. Qytetarët e Maqedonisë kanë kontribuar për perspektivën evropiane si askush më parë”, deklaron kryeministri Mickoski.
Që nga ardhja e qeverisë së Mickoskit në pushtet ka pasur përplasje verbale edhe me fqinjin jugor, Greqinë sa i përket përdorimit të emrit të ri të shtetit dhe respektimin e marrëveshjes së Prespës. Në samitin e NATO-s në Uashington pritet të ketë një takim të drejtëpërdrejtë midis kryeministrave Micotakis dhe Mickovski./DW
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd