Transmetuar më 07-07-2024, 19:05

Vlera e parave që qarkullon jashtë bankave në vend u rrit në gati 390 miliardë lekë në maj, pas një rënie të lehtë në prill. Ky është ndër nivelet më të lartë të shënuar ndonjëherë i parasë “cash” që qarkullon në ekonominë shqiptare.

“Paratë që qarkullojnë jashtë sistemit bankar, janë pjesë e ekonomisë informale dhe bashkë me të, aty ka edhe para nga aktivitete kriminale që zhvillohen brenda apo jashtë vendit tonë,” shprehet për "A2CNN" Zef Preçi, ekspert për ekonominë.

Krahasuar me majin e një viti më parë, vlera e parasë jashtë sistemit bankar është zgjeruar me gati 5.3 miliardë lekë apo 1.4 për qind.

“Kjo është një problematikë e trashëguar që do shumë punë dhe vullnet që të zgjidhet. Duhet të ndodhë hap pas hapi.”

Në raport me totalin e parasë që qarkullon në ekonominë shqiptare e cila përllogaritet në 1.67 biliardë lekë, paraja informale përbën më shumë se 23 për qind të totalit.

Për të kuptuar shkallën e lartë të parave jashtë bankave, mjafton të themi se në vendet e Bashkimit Europiane ky tregues nuk e kalon nivelin 9 për qind.

“Diku për shkak të paaftësisë së administratës e diku tjetër duke lejuar hyrjen e parasë nga aktivitete kriminale ka bërë që ne të kemi sot nivel kaq të lartë të parasë jashtë sistemit bankar.”

Ekspertë të ekonomisë vlerësojnë se qarkullimi kaq i madh i parave jashtë bankave është shkaku kryesor i zhvlerësimit të euros dhe valutave të tjera.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit