Transmetuar më 04-07-2024, 09:24

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili është dhe hartuesi kryesor i programit të Partisë Socialiste, është arrestuar sot herët në mëngjes në zbatim të një urdhri të SPAK-ut.

Lajmi konfirmohet për noa.al nga burime zyrtare të ministrisë së Brendshme.

Arrestimi i Ilir Beqajt është bërë nga oficerët e policisë gjyqësore të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe të SPAK-ut, raporton noa.al me burime nga Policia e Shtetit.

Policia e Shtetit nuk ka marrë pjesë në këtë operacion ndalimi. Ajo është njoftuar më pas për dorëzimin e të dyshuarit në mjediset e paraburgimit, bëjnë të ditur për noa.al burime zyrtare nga Ministria e Brendshme dhe drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.

Ky shihet të jetë një akt i paprecedentë ku BKH dhe SPAK anashkalojnë policinë e cila dihet se është ajo që zakonisht kryen arrestimet e personave të dyshuar.

"Sot është kryer arrestimi i shtetasit Ilir Beqaj, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës se Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar", njoftoi SPAK.

Sakaq në pranga kanë rënë edhe Ermal Kurtulaj dhe Alfred Nikolla.

Ilir Beqaj është nën hetim për koncesionin e sterilizimit të mjeteve spitalore. Por duket se arrestimi ka ardhur pas një hetimi tjetër, mbi fondet e BE.

Beqaj dyshohet se ka abuzuar me fondet e Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, SASPAC, gjatë kohës kur ishte në krye të këtij institucioni. Beqaj mori postin e kreut të Agjencisë në nëntor të vitit 2022 dhe dha dorëheqjen në nëntor të vitit të kaluar, kur Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion nisi ndaj tij hetimet për koncesionin e sterilizimit.

Urdhër arreste janë dhënë edhe për nëntë persona të tjera.

Më herët më 30 mars 2024 Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, ka përfunduar hetimet paraprake dhe ka paraqitur para Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kërkesën për gjykim të procedimit penal nr.13, të vitit 2020.

Ilir Beqaj, është zyrtarisht i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, e kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 248 – 25, të Kodit Penal. /noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit