Helena dhe Ismail Kadare, lidhën martesë më 20 tetor 1963, dhe prej asaj dite kanë jetuar çdo ditë historinë e tyre të dashurisë.
Fryt i kësaj dashurie ishin edhe dy vajzat e tyre, Gresa dhe Besiana.
Helena Kadare, nuk ishte vetëm bashkëshortja e shkrimtarit më të madh shqiptar dhe gjeniut të letërsisë shqipe, por ishte gjithashtu përkrahësja dhe mbështetja e tij më e madhe në çdo vendim të tijin.
Mes këtyre vendimeve dhe i vitit 2021, për të lënë përfundimisht Francën dhe për t’u rikthyer në Shqipëri.
Pak javë më parë Helena tregoi në një emision televiziv njohjen dhe nisjen e marrëdhënies me shkrimtarin Ismail Kadare.
Historia e tyre e nisur gjithçka nga një rastësi mjaft e bukur, iu ngjan sigurisht historive të librave dhe filmave.
Ajo tregoi se para se ta takonte dhe të dashurohej me të, i njihte të gjitha poezitë e shkrimtarit, ndërkohë që Ismaili nuk e njihte fare Helenën.
“Ai mori çmimin e Republikës, unë isha nxënëse në gjimnaz dhe të gjithë e dinin që i dija përmendsh të gjitha poezitë e tij dhe më kishin shtruar fotot e tij të gazetës. Ai nuk më njihte fare”,- u shpreh Helena.
Duke treguar detaje të paditura më parë Helena Kadare shtoi:
“Unë botova një tregim te ‘Zëri i Rinisë’. Ai ishte në Moskë, kishte përfunduar studimet këtu dhe kishte shkuar për specializim. Atje shkonin gazetat shqiptare në një hotel në Moskë. Ai pa këtë tregim dhe më bëri 3 rreshta (ku më shkroi): “Lexova tregimin tuaj, shkruani dhe mos u trembni”. I gjithë gjimnazi e mori vesh këtë gjë që erdhi kjo letër. Pastaj, kur erdhi në Shqipëri, u njohëm rastësisht në rrugë”.
Siç e thamë dhe më sipër historia e dashurisë mes Helenës dhe Ismail Kadaresë vërteton shprehjen “rastësia mbreti i botës”. Ajo zbuloi arsyen se përse bashkëshorti i saj nuk i ka dhuruar kurrë një unazë. Tregoi dhe se nuk ka marrë as një propozim martese dhe se ceremonia e tyre kishte nevrikosur njerëzit:
“Nuk më ka dhuruar unazë, sepse ka qenë një brez që e quanin veten shumë modernë dhe përjashtonin zakonet e vjetra. Atëherë ka qenë diçka konservatore, jashtë shijeve tona. Në atë kohë nuk kishte një propozim martese. Unë isha në konvikt, isha studente e vitit të parë dhe ishte ‘Lidhja e Shkrimtarëve’. Ismaili ftoi të gjithë shkrimtarët e ‘Lidhjes së Shkrimtarëve’ dhe unë ftova të gjitha shoqet e konviktit, duke zemëruar jashtëzakonisht shumë farefisin tonë dhe gjithashtu edhe gratë e shkrimtarëve që nuk ishin të ftuara”, – tregoi ajo. Ajo që e ka bërë dhe më interesante këtë rrëfim si kurrë më parë ishte se në festën e organizuar nga Helena dhe Ismail Kadare, janë njohur shkrimtari Dritëro Agolli dhe e shoqja Sadija.
Ismail Kadare jo më kot është cilësuar edhe si zëri universal kundër totalitarizmit, pasi me romanet e tij sfidoi regjimin dikatorial të Shqipërisë me në krye Enver Hoxhën.
Në një tjetër intervistë televizive, Helena ka treguar momentin më të vështirë që kanë përjetuar së bashku me bashkëshortin e saj.
Kadare theksoi se kishin frikë se do i internonin për shkak të veprave të publikuara të tij.
Ajo tregoi se Kadarenë e çuan në Myzeqe për të bërë punë krahu por që ky i fundit nuk pranoi kurrë të punonte ashtu.
“Momenti më i vështirë që kemi kaluar bashkë ka qenë Plenumi. Kishim frikë internimin. Ishte një gjë shumë e fortë, pikërisht për “Pallatin e Ëndrrave”. Ajo ishte një pjesë, dhe kur doli libri nuk pati asnjë kopje që të shitej sepse ishte vjedhur në shtypshkronjë. Më pas u bë një ribotim i shpejtë dhe u përhap menjëherë. Ky ka qenë momenti më i vështirë. Më pas Ismailin e thirrën në Komitetin Qendror. Kadare bëri një autokritikë shumë të fuqishme duke thënë se armën që më dha partia ia drejtova partisë. Më pas atë e çuan në atë fshatin në Myzeqe”-tha ajo.
Përveçse se bashkëudhëtarja e gjeniut të letërsisë shqiptare, veprat e të cilit janë të përjetshme, Helena Kadare e njohur edhe si Elena Kadare është një autore novelash dhe romanesh.
Është një ndër të paktat shkrimtare romanciere shqiptare, në vitet e regjimit komunist. Autore e shtatë vëllimeve, veprat e saj flasin për ëndërrimet vajzërore, përjetimet e të qenit nënë e bashkëshorte.
Gjithashtu është një përkthyese cilësore e disa veprave të autorëve të njohur botërorë, kryesisht francezë.
Me kohën, Helena u shndërrua në protagoniste të librave të Kadaresë, siç ishte Ana te “Përbindëshi”, por kjo nuk ka mjaftuar.
Edhe Helena Kadare, jetën e saj krah Ismailit, e ka dokumentuar në “Kohë e pamjaftueshme” edhe pse nuk e mori kurrë dakordësinë nga bashkëshorti i saj, i cili ishte kategorikisht kundër librave autobiografikë.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd