Shkrimtari i njohur shqiptar, Ismail Kadare, ndërroi jetë sot në mëngjes në moshën 88 vjeçare, pak orë pasi ishte dërguar në urgjencën spitalore të QSUT, raporton noa.al.
Autori më i madh i yni dhe prozatori kolos i letrave shqipe e filloi karrierën së pari si poet e më pas si dramaturg e autor.
Kadare lindi më 28 janar të vitit 1936 në Gjirokastër. Ai konsiderohet si një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë. Si shkrimtar shquhet kryesisht për prozë, por kontributi i tij është shtrirë edhe në dramaturgji, poezi dhe përkthime.
Nisi të shkruajë kur ishte ende i ri, fillimisht poezi, me të cilat u bë i njohur, e më pas edhe prozë, duke u bërë prozatori kryesor shqiptar.
Deri më sot veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të ndryshme, duke qenë kështu përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe nëpër botë.
Në vitin 1996, Kadare u bë anëtar i përhershëm i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Është nderuar me shumë çmime ndërkombëtare, mes të cilëve Çmimin «Man Booker International» më 2005, çmimin «Princ i Asturias» për Artet më 2009 dhe Çmimin «Jeruzalem» më 2015. Viteve të fundit ai e ndan kohën e tij mes Francës dhe Shqipërisë.
Kadare u largua nga Shqipëria në vitin 1991 kur u ndryshua sistemi komunist me atë pluralist. Ai jetoi në Paris dhe më tej ishte mes dy vendeve.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd