Fenomeni i korrupsionit në administratën publike ka bërë që qeveria të marrë masa duke vendosur “roje”. Vendimi i publikuar në Fletoren Zyrtare, i cili ka hyrë në fuqi, i hap rrugë krijimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Antikorrupsionit (“DPAK”), si person juridik, publik, buxhetor, në varësi të ministrit përgjegjës për antikorrupsionin.
Kjo drejtori nga buxheti i shtetit dhe burime të tjera të ligjshme, sipas legjislacionit në fuqi. Misioni i këtij institucioni do të jetë që të sigurojë parandalimin e goditjen e korrupsionit në institucionet e administratës shtetërore/entet publike/shoqëritë tregtare me kapital shtetëror.
DPAK-ja, për të realizuar misionin dhe për të ushtruar përgjegjësitë, sipas këtij vendimi, mbështet ministrin për hartimin e politikave në fushën e antikorrupsionit; mbledh informacionin për veprimtaritë korruptive dhe praktikat abuzive nga burime të ndryshme dhe kryen hetimin administrativ brenda fushës së përgjegjësisë; planifikon dhe kryen hetime administrative për rastet e dyshuara si praktika abuzive ose korruptive, në përputhje me përcaktimet e këtij vendimi; Hetimit administrative ndërmerren edhe në kuadër të denoncimeve ose ankesave për praktika abuzive, korruptive apo arbitrare për zbatimin e ligjshmërisë, si dhe identifikimin e punonjësve të institucioneve ku Drejtoria shtrin aktivitetin, të cilët, me veprime apo mosveprime, kanë kryer shkelje të akteve ligjore/nënligjore në fuqi.
Bashkëpunon me agjencitë homologe të huaja, agjencitë e zbatimit të ligjit, struktura të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe me organizatat jofitimprurëse për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit në institucionet, pjesë e fushës së zbatimit të këtij vendimi, dhe shkëmbimin e eksperiencave në fushën e antikorrupsionit; harton dhe rishikon në mënyrë periodike analizën e vlerësimit të riskut për korrupsionin; paraqet kallëzim penal në organin e prokurorisë në rastet e dyshimit të arsyeshëm, verifikimit të indicieve, apo administrimit të provave për praktikën korruptive; monitoron veprimtarinë e koordinatorëve antikorrupsion dhe kryen vlerësimin e punës së tyre çdo 6 muaj.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd