Transmetuar më 27-06-2024, 18:30

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar ligjin për tatimin e profesioneve të lira. Vendimi u mor sot (27 qershor) me votën e shumicës së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe u bë publike nga kryetarja Holta Zaçaj.

Ligji për tatimin e profesioneve të lira ishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga Partia Demokratike, ekspertët e licencuar, kontabilistët dhe avokatët, të cilët kërkonin shfuqizim e pjesshëm të ligjit me argumentin se është diskriminues, rëndon shtresën e mesme dhe nuk është në përputhje me Kushtetutën.

Sipas ankesës ndaj këtij ligji tatimi i profesionistëve ka mbyllur qindra biznese, cenon sigurinë e bizneseve dhe do të shtrenjtojë shërbimet që ofrojnë.

Referuar argumentimit të tyre, pala paditëse ka shpjeguar se nuk mund të krahasohen profesionistët e lira me bizneset tregtare pasi nuk e kanë të garantuar fitimin.

Në Shqipëri janë 25 mijë profesionistë që preken nga ligji që hyri në fuqi më 1 janar të këtij viti, ku profesionistëve iu kërkohej të paguanin 15% kush ka fitim deri 14 milionë lekë dhe 23% kush fiton mbi këtë shumë.

Njoftim vendimmarrjeje

Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim në seancë plenare publike çështjen për shfuqizimin e disa dispozitave të ligjit nr. 29/2023, për Tatimin mbi të Ardhurat dhe të nenit 4 te VKM-së nr. 753/2023, i ashtuquajturi tatimi mbi të ardhurat e të vetëpunesuarëve që ofrojnë shërbime profesionale.

Gjykata Kushtetuese, e mbledhur sot më 27.06.2024 njëzëri vlerësoi se ajo ka juridiksion për shqyrtimin e çështjes dhe se të gjithë kërkuesit ( 1/5 e deputetëve, Dhoma e Avokatisë, Shoqatat e kontabilistëve të miratuar dhe ekspertëve kontabël të autorizuar IEKA dhe IKM) legjitimohen për të vënë në lëvizje kontrollin kushtetues, sipas objektit të kërkesës së tyre.

Lidhur me themelin e pretendimeve të kërkuesve, Gjykata pa vënë në dyshim hapësirën e gjerë të vlerësimit të ligjvënësit dhe diskrecionin e tij në fushën fiskale, vlerësoi se neni 69, pika 1, shkronja “dh”, fjalia e dytë dhe e tretë e ligjit nr. 29/2023 dhe neni 4 i VKM-së nr. 753/2023, cenojnë lirinë e veprimtarisë ekonomike për shkak të mosrespektimit të parimit të sigurisë juridike (në kuptim të pritshmërive të ligjshme dhe qartësisë së normës) dhe parimit të proporcionalitetit. Gjykata arriti ne kete perfundim duke mbajtur ne konsiderate skemën tatimore dhe ne vecanti faktin se detyrimi tatimor prej 15 % ndaj kesaj kategorie tatimpaguesish filloi të zbatohej menjëherë pa u lënë kohë të mjaftueshme atyre të përshtateshin me skemën e re tatimore.

Sa me sipër, Gjykata mbajti në vëmendje se ndonëse ligji ka hyrë në datën 18 Maj 2023 dhe i shtrinte efektet e tij nga data 1 Janar 2024, lista analitike e shërbimeve hyri në fuqi në datën 23 Dhjetor 2023 sipas nenit 4 të VKM-së nr. 753/2023 pra vetëm disa ditë para fillimit të efekteve të ligjit.

Gjithashtu, Gjykata vlerësoi se  norma e tatimit prej 15 % e parë së bashku me kohën e zbatimit të saj nuk e kalon  testin e proporcionalitetit, pasi nuk rezulton të jetë masa më e përshtatshme, në kushtet kur ka masa të tjera alternative, të cilat vetë ligjvënësi i ka evidentuar të zbatohen për kategoritë e tjera të tatimpaguesve mbi të ardhurat.

Në përfundim të shqyrtimit të çështjes, për arsyet e mësipërme, Gjykata vendosi me shumicë votash:

Pranimin e pjesshëm të kërkesës dhe shfuqizimin e nenit 69, pika, shkronja “dh”, fjalia e dytë dhe e tretë e ligjit nr. 29/2023 dhe të nenit 4 të VKM-së nr. 753/2023.

Rrëzimin e kërkimeve për shfuqizimin e dispozitave të tjera të ligjit.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për procedurat gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit