Transmetuar më 22-06-2024, 14:18

Toksinat e shtëpisë janë:

1. Objekte që nuk i përdorni më

Shtëpia është një vend për të jetuar, jo depo, e megjithatë shpesh dhe gjithnjë, pak e nga pak e shndërrojmë në të tillë. Ka plot gjëra që mbahen në mënyrë të padobishme në shtëpi, por nëse nuk iu vlejnë apo nëse nuk i keni përdorur prej të paktën një viti, kjo është ftesë për t’i flakur.

2. Rroba që nuk ju pëlqejnë ose që nuk i keni përdorur prej shumë kohësh dhe sidomos të brendshme të grisura

Ne blejmë shpesh rroba dhe i mbivendosim në dollapët. Zakonisht përdorim pikërisht më të fundit që kemi marrë dhe kështu krijojmë një lloj arkiva pa vlerë. Flakini nga shtëpia, por kujdes, më poshtë ju orientojmë se çfarë të bëni me to pasi ti keni nxjerrë nga dera e shtëpisë.

3. Objekte të thyera

Kur na thyhet diçka, nuk e hedhim por e lëmë aty se na dhimbset, apo se ka kushtuar ca si shumë dhe e ruajmë. Nuk ia vlen, flakeni.

4. Letra dhe shënime të tjera

Edhe pse jetojmë në epokën dixhitale, prapëseprapë letra na vërtiten nëpër shtëpi, kuponë, fatura, etj. Pasi ka kaluar një farë kohe, nëse nuk i duhen askujt, flakini.

5. Bimë të thara

Na pëlqen të mbajmë në shtëpi, sidomos në ballkon, lule në vazo. Por disa prej tyre thahen dhe vazo rri aty kot me dheun e pashfrytëzuar. Ose mbillni një bimë tjetër rezistente, ose flakeni.

6. Këpucë të konsumuara nga përdorimi ose të arkivuara nga mospërdorimi

Ashtu si me rrobat edhe me këpucët bëjmë të njëjtën skemë, blejmë dhe mbivendosim. Disa këpucë nuk i veshim prej kohësh, të tjera janë dëmtuar dhe ose nuk riparohen, ose nuk keni ngenë apo dëshirën ti çoni te këpucari. Mos e zgjasni, flakini.

7. Çfarëdo lloj sendesh të padobishme që të kujtojnë të kaluarën

Jeta jonë përmban kujtime të prekshme dhe të paprekshme, por kur vjen puna te sendet, ato nuk duhet të na bëjnë robër të tyre. Nëse i mbani si kujtime, por nuk ju duhen për gjë, flakini.

8. Nëse keni fëmijë, lodra që nuk i përdorin, që nuk funksionojnë ose të thyera

Plot nga ju e kanë parë veten të "mbytur" nga lodrat. Shumë prej tyre janë dëmtuar ose nuk përdoren më. Nëse nuk keni një plan konkret për to, kapini e hidhini.

Por çfarë ndodh duke bërë si më lart?

ME SHKËPUTJEN NGA KËTO GJËRA:

1. përmirësohet shëndeti

2. rritet kreativiteti

3. përmirësohen marrëdhëniet

4. keni më shumë aftësi të arsyetoni

5. përmirësohet humori

PYETJE QË NDIHMOJNË SHKËPUTJEN:

– përse po e ruaj këtë?

– a më duhet sot?

– çfarë do të ndiej duke i nxjerrë nga shtëpia?

Sigurisht që plot gjëra nga ato që do të nxirrni nga shtëpia, mund tu hyjnë në punë njerëzve të tjerë, sidomos të varfërve. Ndaj mbani mend, kurrë mos i hidhni në plehra të tilla sende, sidomos rroba e lodra, sepse dikush tjetër ka nevojë dhe do të gëzohet po aq e ndoshta më shumë se ju kur i bletë ato dikur!

NDANI DHE KLASIFIKONI:

1. për të dhuruar

2. për të hedhur

3. për të shitur

PASTRIMI NGA BRENDA DO REFLEKTOHET JASHTË:

1. Shmangni rrëmujën ekstreme.

2. Më pak çorganizim.

3. Më pak ngjyra të tepruara.

4. Më pak aroma dhe erëra kimike.

5. Më pak kujtime të trishta.

6. Përfundoni projektet e papërfunduara

7. Kultivoni energji pozitive në shtëpinë tuaj.

8. Reduktohen shumë pluhurat dhe puna për pastrimin e tyre.

Si të nisni nga puna?

Ndajeni mendjen se disa orë do t’ia kushtoni kësaj pune. Filloni me secilën dhomë. Nëse nisni me kuzhinën, flakni gjëra që janë të tepërta apo që nuk ju duhen më.

Kështu vazhdoni dhe me dhomat e tjera, sidomos dollapët.

Punë të mbarë! Dhe mos harroni: Kur të mbaroni, do të shijoni një qetësim dhe lehtësim që do t’ju mbushë plot e përplot. Por, deri në aksionin e radhës! /noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd