Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi nuk janë më bashkë. Ky është lajmi i bujshëm i dhënë mbrëmjen e djeshme nga presidenti i Partisë së Lirisë.
Pas më shumë se 25 vite të martuar çifti ndahet, pasi më parë ishin ndarë edhe politikisht.
Ata i thanë njëri-tjetrit ‘Po’, në tetor të vitit 1998 në zyrën e gjendjes civile në bashkinë e Tiranës, të drejtuar në atë kohë nga demokrati Albert Brojka.
Në atë kohë, Meta ish zv.kryeministër i qeverisë socialiste të Pandeli Majkos, ndërsa Kryemadhi ishte kryetare e FRESSH.
Në ceremoninë në gjendjen civile, të pranishëm ishin edhe deputeti Erion Braçe, këshilltari i Metës, Mustafa Muçi dhe për çudi edhe ambasadori zviceran në atë kohë në Shqipëri. Nga njohja në FRESSH te martesa
Njohja mes Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit ka nisur në ambientet e Partisë Socialiste, në të cilën qëndruan deri në ditën e themelimit të LSI-së. Kryemadhi ka treguar se njohja e saj me Ilir Metën ka nisur në vitin 1993, kur ajo ishte ende 17 vjeç, ndërsa do të lidheshin një vit më vonë, e do të celebroheshin në vitin 1998. Nuk ka qenë një dashuri me shikim të parë, siç Kryemadhi vetë ka rrëfyer, pasi për një grua të brumosur fortë si ajo, Ilir Meta ishte një maskilist, dhe një i ri që nuk e kishte pikën e tij më të fortë të qënurit romantik.
“Unë kam qenë pak e turpshme, por pas fejese jo më. Në fillim nuk e kam pëlqyer atë, se është pak maskilist. Nuk është xhentil, e them këtë në kontekstin e një vajze që ëndërron princin e kaltër. Jemi njohur në nëntor të vitit 1993, kam qenë 17 vjeç, një vit më pas jemi lidhur. Kur më ka sjellë lule kam qëndruar dy javë pa gjumë, për faktin se m’i solli”, tregonte Kryemadhi në një intervistë të pak kohëve më parë.
Vitet që pasuan treguan se jeta e Kryemadhit dhe Metës ishte shënjuar për të qenë së bashku. Shpesh Kryemadhi ka qenë pas bashkëshortit të saj, që prej themelimit të LSI në vitin 2004, deri në marrjen e detyrës së saj në krye të Partisë, pasi Meta u zgjodh si president në vitin 2017.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd