Transmetuar më 20-06-2024, 13:38

KOSOVË- Në Bashkimin Evropian nuk ka pajtim të plotë për heqjen e masave ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës. Por, si kompromis pritet që këto masa të hiqen pjesërisht dhe gradualisht. Kështu mësoi Radio Evropa e Lirë nga burimet diplomatike në bllok pas diskutimeve që u zhvilluan më 19 qershor në Komitetin për politikë dhe siguri të BE-së (PSC), ku morën pjesë përfaqësuesit e shteteve anëtare.

Sipas burimeve, shumica e shteteve të BE-së ishin në favor të heqjes së plotë të masave, siç edhe ka rekomanduar përfaqësuesi i lartë i bllokut për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, në raportin që u dorëzoi vendeve anëtare më 18 qershor, lidhur me hapat që Kosova ka ndërmarrë për uljen e tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe.

Në raportin e tij, siç raportoi Radio Evropa e Lirë, Borrell rekomandoi që Kosovës t’i hiqeshin masat, ndërkaq Prishtina të shfrytëzojë këtë mundësi për të vepruar në mënyrë që të ulen tensionet dhe që të shmangë veprimet e pakoordinuara. Ai këtë konstatim e bëri pas një shqyrtimit të hollësishëm të hapave që Kosova ka ndërmarrë në përmbushjen e kritereve specifike që BE-ja i vendosi Kosovës në qershorin e vitit 2023.

Sipas burimeve diplomatike, disa vende të BE-së janë shprehur se “përmbushja e kërkesave nga ana e Kosovës nuk ka qenë e plotë” dhe aktualisht këto shteteve nuk pajtohen që Kosovës t’i hiqen të gjitha masat.

Diplomatët e BE-së, me të cilët ka kontaktuar Radio Evropa e Lirë, thanë se në ditët në vijim mund të pritet edhe një deklaratë në emër të BE-së, përmes së cilës do të njoftohet për gatishmërinë e heqjes graduale dhe të pjesshme të masave ndaj Kosovës.

Ende nuk ka hollësi rreth asaj se cilat masa do të mund të largoheshin e cilat jo. Por, diplomatët e BE-së janë të mendimit se së pari do të mund të hiqen masat që kanë të bëjnë me shfrytëzimin e mjeteve financiare nga Instrumentet e Para Anëtarësimit (IPA), të cilat janë pezulluar për Kosovën.

REL

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd