Qeveria e kryeministrit Edi Rama kaloi me votat e Partisë Socialiste një ligj në Parlament që takson me 15 deri 23 për qind fitimin e 30 mijë subjekteve që i cilëson në mënyrë të paqartë dhe të turbullt si profesione të lira.
Siças legjislacionit shqiptar, ndryshimet fiskale bëhen vetëm me ligj, por në këtë rast, ligji i kaluar është përgjithësues, i paspecifikuar dhe për rrjedhojë i paligjshëm, shprehen ekspertët që po shtjellojnë padinë sot në Kushtetuese.
Ligji thotë se do të taksohen me 15 deri 23 për qind "profesionet e lira", por thotë se kush janë ato, do të shpallen me VKM. Dhe ashtu u bë, shumë muaj më vonë dhe vetëm pak ditë para hyrjes në fuqi u shpall një listë me 169 kode aktiviteti ekonomik që u cilësuan profesione të lira sipas këndvështrimit të qeverisë.
Shumë subjekte të tjera shërbimesh nga më të ndryshmet, nuk u përfshinë.
Kjo tregoi qartë diskriminim dhe gjykata Kushtetuese nisur dhe nga precendentë të mëparshëm, nuk duket të ketë hapësira ta shohë ndryshe.
Për më tepër këtu ka një shkelje flagrante të angazhimkt publik dhe ligjor të kryeministrit Edi Rama. Për shkak të tërmeteve, pandemisë dhe luftës, Rama njoftoi se të gjitha bizneset, pa përjashtim, deri më 31 dhjetor 2029 nuk do të kenë tatim mbi fitimin për xhiro deri 14 milionë lekë.
Ai deklaroi atëherë se mundësitë e qeverisë për rimbursim të dëmeve që shkaktuan dukuritë e mësipërme, ishin shumë të kufizuara dhe zerimi i taksave për dhjetë vjet ishte një zgjidhje për të frenuar shkatërrimin e biznesit, por edhe zhvillimin e tij të mëtejshëm.
Kjo ishte dhe një nxitje për të shtuar bizneset e reja.
Këto angazhime publike deri diku e arritën qëllimin, por vetëm dy vjet më pas, gjërat ndryshuan në mënyrë të njëanshme nga vetë qeveria dhe kryeministri.
Të gjitha këto, e bëjnë ligjin e ri të papranueshëm dhe thirrja e të gjitha këtyre bizneseve është që Gjykata Kushtetuese ta shpallë të paligjshëm që t’i hapë rrugë barazisë së bizneseve përballë shtetit dhe detyrimeve fiskale.
Nga ana tjetër, këto 30 mijë biznese u futën në kurth. Atyre i kërkohet me parapagim, tatim sipas xhiros së viteve të kaluara dhe merret për bazë viti 2023. Por këtu ka një problem. Për vetë faktin se bizneset ishin njoftuar zyrtarisht nga Edi Rama se deri më 1 janar 2030 e kanë zero tatimin, nuk u morën kurrë me mbledhjen e faturave apo kostove dhe deklarimin e tyre që fitimi të ishte më i ulët. Duke qenë se tatimi ishte shpallur zero, ata nuk u morën me këtë proces pasi nuk ndryshonte asgjë për ta.
Nisur nga kjo mori argumentesh dhe plot të tjera që janë renditur sot në Gjykatën Kushtetuese, deri më 1 janar 2030, asnjë biznes që ka xhiro deri në 14 milionë lekë, nuk duhet të paguajë tatim fitimi, thënë dhe shpallur kjo nga vetë qeveria dhe kryeministri Edi Rama që është në mandatin e tij të tretë dhe në luftë për të marrë më 2025 një mandat të katërt katërvjeçar qeverisës.
Çfarë po ndodh sot në Gjykatën Kushtetuese
Gjykata Kushtetuese ka pranuar kërkesën dhe sot po shqyrton shfuqizimin e pjesshëm të nenit 3, pika 5, nenit 12, pika 1, shkronja “ç”, nenit 24, pika 2 dhe nenit 69, pika 1, shkronja “dh”, fjalia e dytë, të ligjit nr. 29/2023, datë 30.03.2023 “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar, për sa i përket profesionit të kontabilistit/ekspertit kontabël/audituesit ligjor, dhe profesionit të avokatit si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Gjithashtu në shqyrtim janë: Shfuqizimi i nenit 4, pika 1 dhe i tabelës analitike nr. 2, të VKM-së nr. 753, datë 20.12.2023, që i referohet nënndarja 69, për profesionin të kontabilistit/ekspertit kontabël/audituesit ligjor dhe profesionit të avokatit, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë;
Pezullimi i zbatimit të nenit 3, pika 5, nenit 12, pika 1, shkronja “ç”, nenit 24, pika 2 dhe nenit 69, pika 1, shkronja “dh”, fjalia e dytë, të ligjit nr. 29/2023, datë 30.03.2023 “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar, si dhe nenit 4, pika 1 dhe i tabelës analitike nr. 2, nënndarja 69, të VKM-së nr. 753, datë 20.12.2023, për pjesën që i referohet profesionit të kontabilistit/ekspertit kontabël/audituesit ligjor, dhe profesionit të avokatit derisa vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese të hyjë në fuqi.”.
Paditës janë mbi 1/5 e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, Shoqata “Instituti i Kontabilistëve të Miratuar” (IKM), Shoqata “Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar” (IEKA), Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë. Të paditura janë Kuvendi i Shqipërisë dhe Këshilli i Ministrave.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd