Transmetuar më 13-06-2024, 09:56

Ambasadori i SHBA-së në Beograd, Christopher Hill në një intervistë të zhvilluar së fundmi për mediat serbe është shprehur se njohja de jure e Kosovës nuk do të jetë kusht për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Europian.

Duke folur për Marrëveshjen e Ohrit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Hill tha se ajo përcakton disa fusha në të cilat dy vendet duhet të përcaktohen dhe përmendi se njëra prej tyre është nevoja për ta krijuar një bashkësi të komunave serbe.

“Kjo nuk ka filluar me Ohrin, e dini, ka rreth 11 vjet dhe mendoj se është koha për ta zbatuar, por që në kontekstin e zbatimit ka një pasqyrë të qartë për serbët që jetojnë në Kosovë. Ka edhe elementë të tjerë që duhet të adresohen, përkatësisht normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe besoj se kjo mund të bëhet dhe duhet të bëhet në kontekstin e rajonit. Rajoni i Ballkanit po fillon të ketë gjithnjë e më shumë modele bashkëpunimi midis të gjitha vendeve, dhe shpresoj se mund të realizohet, por sinqerisht, jam i zhgënjyer që nuk mundëm të bënim më shumë”, tha Hill në një intervistë për mediat serbe.

Marrëveshja e Ohrit përmban njohjen “de facto”, por i pyetur se a nevojitet njohja zyrtare që Serbia të hyjë në BE, Hill tha se europianët kërkojnë normalizim, ndërsa përmendi se në BE ka edhe vende tjera që s’e njohin Kosovën.

“Unë nuk mendoj kështu. Ajo që europianët kërkojnë është pikërisht ajo që ata thonë se kërkojnë, që është normalizimi. Ata duan paqe dhe siguri në rajon, dhe sigurisht mes Kosovës dhe Serbisë. Unë mendoj se ata e kanë thënë shumë qartë se ka anëtarë të Bashkimit Europian që nuk e njohin Kosovën, kështu që çështja e vërtetë është të përpiqemi ta arrijmë normalizimin ku ata kufij nuk do të jenë kufij që ndajnë, por kufij që bashkojnë, kufij që bashkojnë realisht dhe shpresoj që njerëzit ta kuptojnë se çfarë po themi në të vërtetë këtu për të ardhmen dhe si do të duket jeta e njerëzve. Dhe kështu unë do të doja të shihja shumë më tepër përparim në këtë front të normalizimit, dhe është e qartë se BE-ja e ka gjithashtu këtë në mendje”, tha ambasadori amerikan.

Hill tha se SHBA-ja e mbështet cilindo vend që ka aspirata të anëtarësohet në BE, dhe tha se kjo është pikërisht ajo që bëjmë në Serbi.

“Serbia ka gjëra për të bërë në fushën e sundimit të ligjit dhe çështje të ngjashme, të gjitha ato kapituj që janë hapur deri më tani me Bashkimin Europian. Prandaj, detyra jonë është që të përpiqemi ta ndihmojmë Serbinë në këtë përpjekje, sepse mendoj se është mjaft e qartë se Serbia do të jetë në Bashkimin Europian në të ardhmen”, tha Hill.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd