Neni 71 i Kushtetutës së Shqipërisë sanksionon se mandati i deputetit fillon ditën që ai shpallet i zgjedhur nga komisioni përkatës i zgjedhjeve dhe mbaron ose është i pavlefshëm, sipas rastit, duke përmendur 6 opsione si më poshtë:
a) kur ai nuk bën betimin;
b) kur heq dorë nga mandati;
c) kur vërtetohet një nga kushtet e pazgjedhshmërisë ose papajtueshmërisë të parashikuara në nenet 69, 70 paragrafët 2 dhe 3;
Para se të shkojmë te 3 pikat e tjera, ndalemi te pika c: Neni 69 thotë se nuk mund të kandidojnë e as të zgjidhen deputetë, pa hequr dorë nga detyra: a) gjyqtarët, prokurorët; b) ushtarakët e shërbimit aktiv; c) punonjësit e policisë dhe të sigurimit kombëtar; ç) përfaqësuesit diplomatikë; d) kryetarët e bashkive dhe të komunave, si dhe prefektët në vendet ku kryejnë detyrat e tyre; dh) kryetarët dhe anëtarët e komisioneve të zgjedhjeve; e) Presidenti i Republikës dhe funksionarët e lartë të administratës shtetërore të parashikuar nga ligji. Mandati i fituar në kundërshtim me paragrafin 1 të këtij neni është i pavlefshëm.
Tre opsionet e tjera janë:
ç) kur mbaron mandati i Kuvendit;
d) kur mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend;
dh) kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi.
Siç duket nga këto 6 opsione, Berisha nuk hyn gjëkundi. Megjithatë pika d, ha diskutim dhe lë shteg për interpretim. Askush nuk mund të thotë me siguri se çfarë quhet mungesë pa arsye pasi edhe Kushtetuta nuk detajon asgjë.
Sakaq, ligji për deputetët përmend raste të tjera të papajtueshmërisë së mandatit të deputetit, që gjenden në nenin 70 pikat 2 dhe 3 të Kushtetutës: Neni 70 – 1. Deputetët përfaqësojnë popullin dhe nuk lidhen me asnjë mandat detyrues. 2. Deputetët nuk mund të ushtrojnë njëkohësisht asnjë detyrë tjetër shtetërore, përveç asaj të anëtarit të Këshillit të Ministrave.
Ligji thotë edhe se "rastet e tjera të papajtueshmërisë së mandatit të deputetit, perveç atyre të parashikuara në nenin 70 pikat 2 dhe 3 të Kushtetutës, janë të barazvlefshme me ato të anëtarit të Këshillit të Ministrave, parashikuar nga neni 103 i Kushtetutës."
Këtu ka dhe një klauzolë të fundit, që mund të jetë vetëm shpresa e fundit e qeverisë së Ramës që ta mbajë Berishën jashtë Parlamentit: "Rastet e tjera të papajtueshmërisë caktohen me ligj", thuhet në ligjin për mandatin e deputetit.
Kuvendi vendos për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, e cila konstaton papajtueshmërinë.
Këtu, Ramës i vjen në ndihmë Basha i cili ka këmbëngulur që në kuadrin e dekriminalizimit të pastrohen radhët e politikës edhe nga persona të akuzuar për afera korruptive.
Sigurisht që të ndërmarrësh nisma ligjore siç përcaktohet te klauzola "rastet e tjera të papajtueshmërisë caktohen me ligj", është një sipërmarrje e vështirë, por çudirat në këtë vend, nuk kanë të sosur… /noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd