Transmetuar më 11-06-2024, 09:00

https://noa.al/lajmi/2024/06/2439533.html

Gjykata e Apelit nisi sot shqyrtimin gjyqësor në themel, të dosjes së Partisë Demokratike, forca më e madhe politike në opozitë.

Shqyrtimi në themel vjen gjashtë muaj pasi në 27 dhjetor 2023, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, çmoi se çështja e drejtimit të PD-së është shqyrtuar gabim nga të gjitha gjykatat në Shqipëri.

Me numër vendimi 786 Gjykata e Lartë e riktheu çështjen e drejtimit të Partisë Demokratike në Gjykatën e Apelit, duke përcaktuar se gjyqtarët që do ta shqyrtojnë këtë çështje në themel, do të duhet të jenë të ndryshëm nga ata që ishin më parë.

Sot pritet që trupa e re gjykuese të dalë me një vendim që mund të jetë kyç për të ardhmen e opozitës.

Gjithçka nisi në 2022 kur Basha i kërkoi Berishës të largohet nga grupi parlamentar demokrat sepse ishte shpallur non gratta nga SHBA.

Çfarë konstatoi dhe vendosi gjykata e Lartë

Artur Kalaja, Ervin Pupe dhe Darjel Sina morën në shqyrtim në dhomë këshillimi çështjen gjyqësore me kërkues: Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar nga Komisioni i Rithemelimit që kërkon depozitim ndryshimesh statutore dhe vendimmarrje të Kuvendit Kombëtar.

Kolegji vlerësoi se dy vendimet e dhëna nga gjykata e shkallës së parë dhe e dyta kanë qenë të gabuara.

Kolegji i Lartë Civil përshkroi në vendimin e transkriptuar se gjykata nuk ka dhënë asnjë argument dhe asnjë vlerësim ligjor në lidhje me dy Kuvendet e PD-së që u mbajtën në dhjetor të vitit 2021, si për atë të z. Berisha dhe për atë të z. Basha.

Gjykata e Lartë vlerësoi në vendimin e saj se nuk mund të merrej asnjë vendim pa u shqyrtuar më herët faktet dhe provat se cila ishte lidhja që kishin dy kuvendet me njëri-tjetrin.

Pas shqyrtimit të 81 paragrafeve voluminoze të historisë tre vjeçare të konfliktit në opozitë, Gjykata e Lartë detyroi Gjykatën e Apelit që t’u bëjë të qartë palëve në këtë konflikt se është detyrë e secilës prej tyre të provojnë faktet për të drejtat që kërkojnë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd