Transmetuar më 10-06-2024, 09:30

Kryeministri Edi Rama shkoi sot në Kosovë në 25 vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s dhe çlirimit të Kosovës.

Në nisje të vizitës, Kryeministri Rama zhvilloi, siç tha kabineti i tij, një takim kokë më kokë me Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani.

Më pas, Kryeministri Rama u përfshi në Konferencën Ndërkombëtare “Rugova dhe Perëndimi”, dedikuar këtij përvjetori, që mbahet në nderim të trashëgimisë politike të Presidentit Rugova, si dhe të vendeve aleate, të cilat patën një rol thelbësor gjatë viteve të luftës në Kosovë, konferencë ku gjendet edhe Albin Kurti.

Me Ramën në konferencë është dhe Skënder Gjinushi, i cili aktualisht mban kreun e Akademisë së Shkencave pasi ia dha partinë SocialDemokrate PSD, Tom Doshit.

Në këtë konferencë që po vazhdon, u njoftua të jenë dhe dy ish kryeministra, ai italian Massimo D’Alema që ka ngritur biznese në Shqipëri dhe ai britanik Tony Blair që punon për Ramën.

Ajo që habit është se Rama nuk ka takim me Albin Kurtin edhe në këtë ditë të rëndësishme për Kosovën.

Axhenda që publikoi vetëm sot në mëngjes kryeministria, parashikon edhe një takim me kryebashkiakun e Prishtinës Përparim Rama, ku në një ceremoni të posaçme do të marrë Çelësin e Qytetit.

10 qershori i vitit 1999 shënon fundin e luftës në Kosovë dhe tërheqjen e trupave serbe, pas 78 ditë bombardimesh ajrore të NATO-s. Po me këtë datë Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi Rezolutën 1244, sipas së cilës në Kosovë u dërguan trupat paqeruajtëse të KFOR-it nga 36 vende.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd