NOA ANALIZË
Kryeministrja italiane Xhorxhia Meloni, bëri një marrëveshje me Edi Ramën për të hapur në Shqipëri kampe refugjatësh. Qëllimi primar, nuk është ai që duket dhe thuhet zyrtarisht, pra akomodimi i përkohshëm për efekt riatdhesimi të refugjatëve.
E vërteta e madhe, e thënë troç edhe nga Meloni në parlamentin italian, është as më shumë dhe as më pak, por shndërrimi i Shqipërisë në Ruandën e Britanisë.
Pse?
Ju kujtohet pak vite më parë si nisi historia Britanike e Ruandës? Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, vendosi të dërgojë në Ruandë, emigrantët e paligjshëm, si dhe ata që nuk përfitojnë azil, duke tmerruar shumëkënd që tentonte Anglinë, mes tyre dhe shqiptarët.
Kështu, ajo që për shumë emigrantë, shihej si tokë e premtuar, u shndërrua në një frikë për t’u shkelur. Autoritetet britanike madje shënjestruan dhe plot shqiptarë, duke i njoftuar se do t’i degdiste në vendin e humbur, koloni britanike, aktualisht pjesë e komonuelthit.
Efekti i kësaj nisme të qeverisë britanike ishte i shpejtë: U dekurajua ndjeshëm ardhja e emigrantëve.
E njëjta gjë po ndodh dhe me Italinë. Qysh kur se Meloni shpalli nismën që t’i degdisë emigrantët në një vend të varfër dhe jashtë Bashkimit Evropian, në Shqipëri, fluksi i refugjatëve nisi të bjerë drastikisht.
Kaq shumë sa brenda katër muajve të fundit ka rënë me më shumë se 60 për qind, mbërritja e refugjatëve në brigjet italiane, siç u bë e ditur këto ditë nga qeveria italiane.
Sigurisht, kjo po ndodh sepse emigrantët e gjorë u trembën nga "kuçedra", në këtë rast, Shqipëria. Ata kuptuan se mund të përfundonin nga shiu në breshër, në vend që të shkojnë aty ku aspirojnë, në Itali, në Bashkimin Evropian, për një jetë më të mirë, larg skamjes, të degdisen në një vend jashtë BE, si Shqipëria.
Vetë Meloni e tha qartë në Romë: Ajo e ndërmori këtë nismë, më shumë për të dekurajuar fluksin e refugjatëve sesa për të bërë një cirk si ky që ka nisur të vihet në zbatim.
Dhe ku konsiston ky cirk?
Sipas planeve në veprim të Melonit, në Shqipëri po ngrihen dy kampe, një pritës dhe një strehues. Me kosto ndërtimi dhe mirëmbajtjeje të brendshme 94 milionë euro dhe po kaq, për shtetin shqiptar për mbikëqyrjen e jashtme.
Mbi 450 milionë euro të tjera janë parashikuar të shpenzohen për akomodim, ushqim, transport, etj.
Skema është e tillë: Refugjatët kapen në ujërat ndërkombëtare dhe aty nis përzgjedhja: Gratë dhe fëmijët dërgohen në Itali, kurse të tjerët në Shqipëri.
Në vendin tonë mund të strehohen 3 mijë vetë njëherësh me afat maksimal qëndrimi 28 ditë, pra mbi 36 mijë vetë në vit.
Kontrata është 5 vjeçare.
Por çfarë ndodh me emigrantët pas 28 ditëve? Ata aplikojnë për azil dhe koha e përgjigjes është deri në 18 muaj.
Shifrat dhe faktet janë kokëforta: Vitin e kaluar, u riatdhesuan vetëm 4,536 refugjatë. Qindra mijë të tjerë vazhdojnë të qëndrojnë atje.
Edhe ky është një tregues i qartë se Meloni nuk e përdori Shqipërinë si një vend tranziti, por për ta servirur si "kuçedrën" e refugjatëve, duke kopjuar variantin "Ruanda" të Britanisë së Madhe.
Por me një ndryshim: Gjykatat britanike e rrëzuan qeverinë dhe plani dështoi duke mos dërguar në Ruanda as edhe një refugjat të vetëm.
Lind pyetja: A do të ndodhë edhe me Italinë e njëjta gjë?
Mbetet të shohim…
/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd