Transmetuar më 07-06-2024, 08:50

UPDATE: Dhërmi, Himarë, 7 Qershor 2024/noa.al- Policia e Shtetit sot ka arritur të gjejë trupin e të ndjerit Eraldo Novruzi. Pasi konfirmon se ai është vrarë, njofton se është gjetur kufoma si dhe fisheku dhe kapsolla e plumbit që është qëlluar mbi 31 vjeçarin.

"Në vijim të punës hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes kriminale të ndodhur në Dhërmi, pas zbardhjes së rrethanave, ndalimit në Greqi të autorit të dyshuar dhe arrestimit të 2 shtetasve që ndihmuan autorin për të fshehur kufomën, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, ka vijuar veprimet për gjetjen e trupit të shtetasit Eraldo Novruzi.

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, të Komisariat të Policisë Himarë dhe disa grupe të Delta Forcë, në drejtimin e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, kanë vijuar kërkimet në një perimetër të gjerë.

Si rezultat i informacioneve të siguruara nga hetimi dhe i kërkimeve, shërbimet e Policisë kanë gjetur trupin e pajetë të Eraldo Novruzit në vendin e quajtur “Përroi i Gjipesë”, në zonën midis fshatrave Dhërmi dhe Vuno.

Grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje kriminale.

***

Në një përditësim të ngjarjes shqetësuese që ndodhi në hotel "Greccia" në Dhërmi në çelje të sezonit turistik veror, policia njoftoi sot se ka identifikuar dhe kapur 2 shtetas, të cilët dyshohet se ndihmuan autorin e ngjarjes kriminale të ndodhur ditën e djeshme, në Dhërmi, për të fshehur trupin e pajetë të shtetasit Eraldo Novruzit.

Nga veprimet hetimore të kryera për zbardhjen e plotë të ngjarjes, dyshohet se autori, 43 vjeçari Gerald Shehu, pasi e ka vrarë me armë zjarri Eraldo Novruzin, është ndihmuar për të fshehur trupin, nga 2 punonjës të hotelit të tij, Daniel Qose, 33 vjeç dhe Devid Larti, 30 vjeç, të dy banues në Korçë.

Nga këqyrja e banesës ku qëndronte Gerald Shehu, në një kasafortë në dhomën e gjumit, shërbimet e Policisë gjetën 1 fishek arme zjarri, me kapsollë të goditur, i cili u dërgua në Institutin e Policisë Shkencore, për ekzaminim.

Në fuksion të hetimeve të thelluara u fiksuan dhe u morën për ekzaminime të mëtejshme, sende dhe mjete të tjera të cilat dyshohet se janë përdorur në këtë ngjarje.

Eraldo Novruzi

Hetimet vijojnë në drejtimin e Prokurorisë.

Pas vrasjes, 43-vjeçari Geraldo Shehu dyshohet se ka mbështjellë trupin me një çarçaf duke e futur në makinë dhe është larguar bashkë me të.

Rrugës duket se e ka flakur apo fshehur diku sepse më tej makina Audi A8 u gjet në parkim privat në Sarandë kurse ai vetë në Korfuz duke ikur për në Angli përmes aeroportit. Për në Korfuz ai kaloi përmes Qafë Botës dhe duket se ka shkuar në Igumenicë ku ka marrë tragetin për në Korfuz.

Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për shtetasin G. Sh., për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, si dhe për shtetasit D. Q. dhe D. L., për veprën penale “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”, kryer në bashkëpunim.

Autori kryesor i dyshuar, Gerald Shehu u arrestua në Korfuz, ndërsa po shkonte në aeroport për të ikur në Angli. Pritet ekstradimi.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd