Pas zgjedhjeve parlamentare të 8 majit, Maqedonia e Veriut po përgatitet për krijimin e qeverisë së re. VMRO DPME do të bashkëqeverisë me koalicionin opozitar shqiptar VLEN, të cilët do jenë pjesë e pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv.
Izet Mexhiti nga koalicioni VLEN ka folur në emisionin Breaking për vijimin e bisedimeve me VMRO- DPME si dhe ka treguar konkretisht se cilat poste pritet të marrin shqiptarët.
Sipas tij, VLEN do të marrë 6 ministri dhe 2 zëvendës kryeministra dhe konkretisht shqiptarët do të udhëheqin “ministrinë e Shëndetësisë, ministrinë për Punë dhe Politik Sociale, ministrinë e Ekonomisë, ministrinë e Ekologjisë, ministrinë për Eurointegrime dhe ministrinë për Qeverisjen e Mirë dhe në të njëjtën kohë edhe 7 zv. ministra dhe 5 sekretarë shtetërorë".
Nexhiti tha se postet janë përcaktuar që në fillim të negociatave. “Do luftojmë për simbolikë, por do luftojmë, edhe për përfaqësim dinjitoz dhe respektabil të shqiptarëve në Maqedoni, ne jemi përfaqësuesit e shqiptarëve.
Shqiptarët, sipas regjistrimit të fundit, kanë dalë diku rreth 24 % rezidentë dhe në total janë 30 %. Këtë e reflekton edhe kjo qeverisje, duke filluar në 3 postet kryesore të shtetit, pra kryetar shteti dhe kryeministër do ta kenë pala maqedonase, ndërsa kryetar parlamenti shqiptarët në krye me Afrim Gashin, ndërsa tek ministritë po ashtu udhëheqim me 30 për qind të dikastereve. E njëjta do reflektohet edhe tek ndërmarrjet shtetërore dhe publike, te shoqatat aksionare dhe investimet”, tha ai.
Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Silanovska-Davkova, të enjten do t’ia japë mandatin për formimin e Qeverisë, kryetarit të VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
Në zgjedhjet parlamentare më 8 maj, VMRO DPMNE-ja ka fituar 58 vende në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, nga 120 sa janë gjithsej. Pas marrjes së mandatit, kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ka afat prej 20 ditësh për paraqitjen në Kuvend të përbërjes së re të Qeverisë, si dhe programin e punës.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd