Një ditë para vizitës së kryeministres italiane në Shqipëri Giorgia Meloni, kanë përfunduar punimet për qendrën pritëse të refugjateve që do të vijnë nga Italia në portin e Shëngjinit.
Objektet janë gati nga ku edhe do të zhvillohet konferenca për shtyp mes Melonit dhe kryeministrit Edi Rama.
Qendra është marrë në dorëzim nga autoritetet italiane. Meloni do të zhvillojë nesër një vizitë në Shëngjin dhe në Gjadër për të parë finalizimin e marrëveshjes që firmosi me homologun Edi Rama nëntorin e kaluar.
Masat për të garantuar sigurinë dhe mbarëvajtjen e aktivitetit kanë nisur prej të hënës, pasi në Portin e Shëngjinit kanë mbërritur tashmë oficerë të policisë italiane.
Sipas marrëveshjes porti i zbarkimit do të jetë Shëngjini, ku do të ngrihet qendra e parë që do të shërbejë për identifikimin dhe regjistrimin e refugjatëve, ndërsa Gjadri do të jetë kampi për vendqëndrimin e tyre në pritje të përgjigjeve për kërkesat e azilit. Qendra pritëse do të ketë një kapacitet 3 mijë vende, ndërsa në përfundim të procedurave të vlerësimit autoritetet italiane do t’i largojnë me shpenzimet e tyre emigrantët nga territori shqiptar.
Protokolli mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët është çuar përpara mes shumë debateve dhe kontestime nga politika dhe opozitat e të dyja qeverive.
Në vendin tonë, opozita e ka cilësuar si anti-kushtetuese me pretendimin se cenon integritetin territorial të vendit, ndërsa në vendin fqinj është folur për shifra të fryra që do të rëndojnë në buxhet, pa zgjidhur problemin real të emigrantëve të paligjshëm.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd