Transmetuar më 02-06-2024, 20:59

Iraklion Kretë – Greqi, 2 Qershor 2024/noa.al- Tragjedia që pllakosi në familjen shqiptare është rënduar edhe më shumë kur autoritetet policore greke arrestuan nënën e vogëlushit që u mbyt fatalisht në det.

Nëna e 6 vjeçarit Anis (Nikola), u arrestua nga policia, por disa orë më pas u la e lirë me urdhër të prokurorisë.

Gjithsesi ajo ndiqet në gjendje të lirë për akuzën penale të vrasjes nga pakujdesia.

Hetimi grek sugjeron se nëna e të voglit ishte në shtëpi, vetëm 40 metra larg plazhit, bashkë me foshnjën e saj, ndërsa Nikola po lahej.

Deti kishte dallgë për shkak të erës që frynte dhe kjo mund të ketë qenë një arsye që fëmija u mbyt pa arritur të shpëtohet.

Autoritetet policote portuale thanë se kanë vijuar arrestimin e nënës së fëmijës 6-vjeçar që humbi jetën në detin e Arvit në Iraklio të Kretës, thuhet në njoftimin zyrtar që citon noa.al.

Sipas autoriteteve, nëna po ndiqet penalisht për shkelje të nenit 302 të Kodit Civil (vrasje nga pakujdesia), ndërsa me urdhër të prokurorit është liruar. Arsyeja që nëna po ndiqet penalisht për këtë akuzë është dyshimi se kishte lënë fëmijën vetëm në det pa mbikëqyrjen e një personi të rritur.

Si ndodhi mbytja e Fëmijës

Familja shqiptare jetonte vetëm 40 metra larg plazhit dhe dalja atje ishte një ritual i shpeshtë edhe për vetë faktin se Nikola e admironte detin dhe kridhej shpesh në të.

Sipas informacioneve të Cretalive që citon noa.al, Nikola i vogël ka shkuar për të notuar me një shok. Fatkeqësisht duket se është marrë nga dallgët, për pasojë fëmija me origjinë nga Shqipëria ka humbur ndjenjat dhe më pas është gjetur në portin e vendbanimit nga kalimtarët.

Sapo trupi i fëmijës u gjet duke lundruar në det, banorët u mobilizuan, ndërsa u tentua të rikthehej në jetë me përdorimin e defibrilatorit të një shoqate lokale. Fatkeqësisht ishte shumë vonë …

Prindërit e vogëlushit

Nëna dhe babai i të voglit jetojnë prej vitesh në Arvi. Punonjës korrektë, punëtorë kryesisht në serra, njerëz të shkëlqyer siç e pranojnë të gjithë në zonë.

Nëna e tij ka sjellë në jetë fëmijën e dytë të familjes pak muaj më parë dhe në momentin që ka ndodhur aksidenti ka qenë në shtëpi me foshnjën, ndërsa babai në punë.

Pamje në vendngjarje

Çfarë tha zyrtarisht Roja Bregdetare greke:

"Mesditën e sotme e shtunë 1/6), Autoriteti Portual i Porteve të Kalesë është njoftuar se një djalë 6-vjeçar është nxjerrë pa ndjenja nga porti i Arvit, Bashkia Viannos, Heraklion.

Djali është transportuar me autoambulancë në Qendrën Shëndetësore në Viannos, ku është konstatuar vdekja e tij.

Nëna e të miturës është arrestuar nga Stacioni Portual i Kalen Limenit për shkelje të nenit 302 të Kodit Penal. (Vrasje nga pakujdesia), ndërsa me urdhër të prokurorit është liruar. Nga Autoriteti Portual përkatës, i cili po kryen hetimet paraprake është urdhëruar autopsia”.

"Ai e donte detin"

“Prindërit e kërkonin, ai doli nga shtëpia pa e kuptuar ata. Ky fëmijë e donte shumë detin, shkonte rregullisht në det. Sot ai u gjend vetëm dhe kur e zbuluan ishte tepër vonë”, tha Pavlos Baritakis, kryebashkiak i Viannos.

E shokuar është edhe mësuesja e vogëlushit dhe nuk mund ta besojë që Annis apo ndryshe Nikola nuk do të jetë në shkollë të hënën e ardhshme. “Ai ishte një fëmijë i përsosur. E them këtë sepse u bë engjëll herët, por ka qenë engjëll edhe gjatë shtatë viteve që ishte në këtë botë”, tha ajo për Creta TV.

Të gjithë në rajonin e Arvit mbeten të tronditur nga humbja e Nikolës së vogël, i cili vdiq aq padrejtësisht teksa lahej në detin që aq shumë e donte.

Fëmija ishte me origjinë nga Shqipëria, ndërsa prindërit e tij prej vitesh jetojnë në Arvi.

Dëshira e babait dhe nënës së 6-vjeçares, të cilët po jetojnë dramën e tyre, është ta varrosin fëmijën e tyre në Shqipëri. Mirëpo, gjendja e tyre financiare nuk e lejon këtë udhëtim dhe as nuk i mbulojnë dot shpenzimet e varrimit.

Për këtë arsye, Shoqata e Zbukurimit të Edukimit Kulturor Arvi mori iniciativën.

Siç u bë e ditur, shoqata mori përsipër shpenzimet e transportit dhe varrimit të Nikolës në vendlindje, ndërkohë që u bë një mbledhje fondesh në bashkëpunim me Shoqatën e Prindërve dhe Kujdestarëve të Kopshtit dhe të Shkollës Fillore Arvi. /noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd