Transmetuar më 31-05-2024, 13:17

Francesco Acerbi u detyrua të ngrejë "flamurin e bardhë" në prag të nisjes së grumbullimit të kombëtares italiane në "Coverciano", në funksion të finaleve të "Euro 2024".

Pasditen e djeshme, FIGC njoftoi se futbollisti i lindur në vitin 1988 nuk do të jetë i pranishëm në Europianin e Gjermanisë pasi po përballet me pasojat e dhimbjes së ijeve.

Është një problem që qendërmbrojtësi i Interit e mban prej disa kohësh me vete, por tani e ka detyruar të ndalet. Ai do t’i nënshtrohet të hënën një operacioni për t’i dhënë zgjidhje këtij shqetësimi shëndetësor.

Prandaj Acerbi do të detyrohet ta anashkalojë Kampionatin Europian me Luciano Spallettin, i cili i dha indikacione paraprakisht Federico Gattit, një mbrojtës tjetër që është vënë në dispozicion.

Në këtë pikë, duke qenë se Scamacca dhe Scalvini do të jenë të zënë me Atalantën deri më 2 qershor, grumbullimi në funksion të Europianit të kësaj vere do të nisë me 27 lojtarë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd