Transmetuar më 31-05-2024, 11:26

José Mourinho nuk mbaron kurrë. Trajneri portugez po zgjeron kufijtë e tij dhe sipas “Sky Sports” do të nënshkruajë me Fenerbahce deri në vitin 2026, në atë që do të jetë eksperienca e tij e parë në Turqi, një nga vendet me tifozët më pasionantë të futbollit botëror. Një “koktej shpërthyes”… Ai do të zëvendësojë Ismail Kartal në pankinën e klubit të njohur turk.

“Special One” kishte mbetur pa skuadër që kur u shkarkua nga Roma në janar dhe kishte refuzuar, ndër të tjera, oferta nga futbolli saudit në këtë periudhë. Ai donte të trajnonte sërish në Europë pas aventurës me skuadrën e kryeqytetit italian me të cilën arriti të fitonte Ligën e Konferencës në vitin 2022 dhe ishte finalist në “Europa League” sezonin e kaluar, ku u mund nga Sevilla.

Pasi ka trajnuar Uniao Leiria, Benfica, Porto, Inter, Real Madrid, Chelsea (dy herë), Manchester United, Tottenham dhe Roma në elitën evropiane, në një karrierë në të cilën ka fituar 26 tituj, Mourinho po shkon drejt lindjes për të jetuar një aventurë të re, që duket jo pak interesante.

Trajneri portugez pritet të zbarkojë te Fenerbahce, e cila e përfundoi e dyta sezonin në Superligën Turke me 99 pikë. Galatasaray me 102 pikë u shpall kampion javën e fundit, me “fotofinish”. Fenerbahce do të luajë nga raundi i dytë kualifikues i Champions League. Mourinho do të gjejë në skuadrën turke shumë lojtarë të spikatur si Tadic, Dzeko, Batshuayi, Fred, Ünder dhe Livakovic. Mes tyre bën pjesë edhe sulmuesi i kombëtares shqiptare, Ernest Muci.

Sfida e madhe e Mourinhos do të jetë fitimi i Superligës Turke. Fenerbahce nuk e ka fituar titullin në Turqi që nga sezoni 2013-2014. Një dekadë “thatësire” për një ekip që në 10 vite ka fituar vetëm një Kupë (2023) dhe ka dalë i dyti në tri sezonet e fundit. Shumë pak për një klub që është më i suksesshmi në vendin osman me 28 tituj kampioni, përpara Galatasaray (25) dhe Besiktas (21).

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd