Transmetuar më 31-05-2024, 09:16

Nga Artan FUGA

Pasi e deklaruam Ballkanin e hapur të mbyllur, tani rihapet çështje e Ballkanit të hapur në futboll, ku Federata Shqiptare e Futbollit del me propozimin gjigand që të organizojë kampionatin evropian, finalet, në hapësirën Shqipëri – Serbi!

Ky i ngjan një autogoli me rafishiatë, ku topi përfundon drejt e në trekëndëshin e portës së vet. Nuk e di se çfarë e shtyn Federatën ta bëjë këtë propozim me Serbinë dhe a janë marrë vesh me Federatën e Futbollit të Serbisë? Se vetëm Federata jonë e nderuar nuk mund ta orgnizojë kampionatin, finalet, në Serbi, pa mbështetjen madje edhe të shtetit serb. A e ka provuar ta marrë këtë pëlqim?

Mbetet e pakuptimtë se përse nuk e organizon në bashkëpunim ta zemë me Bosnjën, ose me Kroacinë, a me Slloveninë, a me Greqinë, por direkt bash me Serbinë. Unë mendoj se anëtarët e këshillit drejtues të Federatës e kuptojnë se duhet të marrin edhe përlqimin e ministrisë sonë të jashtme, sepse nuk është çështje: O me se futboll do lujm! Dy porta dhe një top!

Se poqese organizohet kjo duhet edhe bashkëpunimi midis policisë serbe dhe policisë së Shqipërisë për të mbajtur rendin, pa duhet edhe bashkëpunimi i shërbimeve sekrete, sepse lloj-lloj provokuesish ka. Për të mos thënë një bashkëpunim edhe me investimet shtetërore për stadiume etj.

Si nuk u vete mendja se na duhet gjithashtu edhe pëlqimi i Kosovës, sepse skuadrat, tifozët, edhe nga territori kosovar do të kalojnë, na duhet pra edhe bashkëpunimi me policinë e Kosovës, madje edhe me forcat ndërkombëtare të sigurisë. Si nuk vete mendja të bëjnë një kampionat futbolli të përbashkët Kosovë-Shqipëri, çka do të ishte një perlë, por hidhemi drejt e në një shtet më larg te Serbia!!! Vërtet çudi!

Dhe si mendon Federata ta marrë këtë rrisk, kur ende zona nuk ka fituar paqëtimin e duhur, kur kaq shumë probleme mbeten hapur, çka shtetet e tjera duhet të pranojnë që finalet e Evropianit të luhen midis dy hapësirave të kthyera në një të përbashkët, pra asaj serbe dhe asaj shqiptare?

Popujt dhe vendet e Ballkanit sigurisht duhet të jetojnë në paqe dhe bashkëpunim, si në sport, arte, ashtu edhe në tregëtinë me shumicë, por nisma si kjo, me rrisk shumë të lartë, pa nisur në fillim të pranohet që shkëmbime ekipesh futbolli që ndeshen me njëri-tjetrin dhe që tifozëria të mësohet si të pranojë futbollin e tjetrin, dhe tjetrin si dashamirës sporti, jashtë ngjyrave politike, duket si një tullumbace e fryrë, që fluturon mbi një fushë me gjëmbaçë!

Veç mos qoftë, siç kujtimet ma sjellin, kur shkrirja e akujve mes Kinës dhe SHBA nisi me shkëmbime lojtërash ping-pongu. Kur kinezët luajnë ping-pong, përse ne mos luajmë futboll! Mua më kujtohet se edhe në Shqipëri është bërë politikë me futboll.

Atëherë, kur vinte kombëtarja e futbollit e Kinës dhe bënte ndeshje te "Qemal Stafa" dhe ndeshja përfundonte 5 me 5. Po të bënin një ndeshje me kombëtaren serbe, përse të mos dilnim ta zemë 6 me 6. Ose domino, ku ky propozim i le opinionit publik dopio gjashtën në dorë! Dhe gazetarët, që larg qoftë të bëjnë pyetjet e duhura…

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd