Transmetuar më 30-05-2024, 20:01

KOSOVË- Kryetari i Zveçanit, Ilir Peci njoftoi ditën e sotme se ka shkarkuar nga detyra nënkryetaren e Komunës, Natasha Tomaniç. Ndërkohë në lidhje me shkarkimin e saj nga detyra ka reaguar vetë ish-nënkryetarja. Tomaniç në një prononcim për mediat në Kosovë ka thënë se vendimi për shkarkimin e saj ka qenë i pritur ndërsa ka theksuar se është ndjerë e diskriminuar nën udhëheqjen e kryetarit Peci.

Ajo më tej ka akuzuar kryetarin e Zveçanit për keqpërdorim të parasë publike. Sipas saj në komunë nuk punohet por vetëm po harxhohen paratë e buxhetit.

“Këtë e kam pritur, meqë nga dita e parë ka pasur diskriminim, jo vetëm ndaj meje por ndaj gjithë serbëve. E kam pritur edhe për faktin se kam ditur se çfarë malverzime po bëhen, duke filluar nga kontratat mbi vepër, ndihmat sociale, tek projektet e të tjera. Çdo gjë që ka thënë kryetari është gënjeshtër. Në fakt, asgjë s’po punohet por vetëm po harxhohen paratë e buxhetit”, ka thënë ajo për Radio Dukagjini.

Peci ka arsyetuar shkarkimin e Tomaniçit, duke thënë se i ka kaluar disa herë kompetencat e saj në punë. Sipas tij ajo ka bërë presion të vazhdueshëm ndaj zyrtarëve serbë në komunë te Zveçanit, ku si rrjedhojë tre zyrtarë serbë kanë dhënë dorëheqje ditëve të fundit.

Ndërsa si shkas i fundit për shkarkimin e saj është thënë se ka qenë një marrëveshje që nënkryetarja ka bërë me një kompani italiane për një objekt që është në pronësi të komunës se Zveçanit.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd