Transmetuar më 30-05-2024, 07:59

Pas një të marte plot tension, pritet që këtë të mërkurë, më 29 maj, të inaugurohet një “skenë” e re te Barça. Gjermani Hansi Flick do të shpallet zyrtarisht si trajneri i ri i Barçës, pasi presidenti i klubit të mbyllë përfundimisht largimin e Xavi Hernández.

Sezoni zyrtar i klubit Blaugrana përfundoi të dielën, me fitoren e parëndësishme në “Sánchez-Pizjuán”, pasi vendi i dytë në La Liga ishte siguruar tashmë. Në klubin katalanas tashmë po punojnë 100% mbi planifikimin sportiv për sezonin e ardhshëm. Tani e tutje, Hansi Flick do të punojë së bashku me Deco de Souza, drejtor sportiv, për të ndërtuar skuadrën e re.

Sipas “As”, Xavi Hernández ka refuzuar një propozim për të qenë trajner i kombëtares së Koresë së Jugut. Në derën e trajnerit katalanas kanë trokitur edhe Ajax, Manchester United e Milan. Ideja e tij, siç është shprehur në disa raste, është të bëjë një pushim dhe më pas të vlerësojë opsionet që ka për të vazhduar të stërvisë diku tjetër.

Edhe pjesa tjetër e stafit, pra asistentët që e kanë shoqëruar Xavin që nga fillimi i karrierës si trajner, edhe në Katar, do të marrin pushim, duke pritur që ish-mesfushori blaugrana të vendosë për një nga propozimet që ka në tryezë.

E ardhmja – E sigurt është se Xavit nuk do t’i mungojnë ofertat. Në fakt, sapo shpalli dorëheqjen e tij të vonuar në fund të janarit, një klub si Ajaxi i Amsterdamit pyeti për të ardhmen e tij dhe mundësitë për të marrë përsipër sfidën te “harkëtarët”. Personi që e kontaktoi ishte Jordi Cruyff.

Lista e klubeve që kanë trokitur në derën e Xavit është shumë më e gjerë. Trajnerin e testuan edhe klube të tjera të traditës së Manchester United dhe Milani, edhe pse në të dyja rastet në mënyrë shumë informale.

Tani, oferta më e çuditshme që Xavi ka në tavolinë është ajo e një kombëtareje. Konkretisht, nga Koreja e Jugut, që mendon për Kupën e Botës 2026. Nuk është hera e parë që një kombëtare i troket në derë. Kur ishte ende trajner i Al Sadd-it, ai mori një propozim të çuditshëm nga Brazili, pasi i ofruan postin e ndihmësit të Tite deri në Kupën e Botës "Katar 2022" dhe më pas të merrte frenat e “Seleçaos”.

Në çdo rast, për momentin Xavi nuk është i disponueshëm për t’iu bashkuar ndonjë klubi, synimi i tij është të bëjë disa kohë pushim. Me tutat e trajnerit në fushë do të kthehet në verën e vitit 2025, duke ndjekur kësisoji "gjurmët" e Jurgen Klopp. Edhe ky i fundit pati shumë oferta, por vendosi të pushojë sezonin e ardhshën, pas largimit nga Liverpool.

Për momentin, ai nuk ka asnjë preferencë, por duket se tërhiqet nga Premier League. Në parim, La Liga është një vijë e kuqe që nuk duhet kaluar, pasi nuk dëshiron të konkurrojë me Barcelonën, klub i jetës së tij. Sigurisht, askush të mos harrojë se PSG është një klub me pronar nga Katari, vend ku Xavi mbylli karrierën si futbollist dhe nisi atë të trajnerit.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd