Transmetuar më 29-05-2024, 10:25

Ai e di se çfarë janë finalet e një Kampionati Europian, sepse ka marrë pjesë në kompeticionin e Francës më 2016. Pra, ka qenë pjesë e kombëtares sonë kuqezi, që bëri historinë me në krye trajnerin De Biasi. Fati e do që të shijojë edhe “Euro 2024”, sepse është bërë pjesë e listës së Sylvinho.

Jo i rregullt në fushatën kualifikuese të këtij Europiani, gjithsesi Arlind Ajeti është një shtyllë e fortë dhe e sprovuar e prapavijës kuqezi. Bashkë me Etrit Berisha, Elseid Hysaj, Amir Abrashi dhe Naser Aliji, ata duhet t’iu tregojnë se çfarë e pret grupin aktual të lojtarëve në Gjermani, duke iu transmetuar atyre eksperiencën e “Francë 2016”.

Mbrojtësi i qendrës zbulon në një rrëfim për “Koha” se askush nuk e ka ditur nëse e ka emrin në listën e Sylvinhos, që e publikoi para dy ditësh. Secili prej kuqezinjve e ka marrë vesh përmes televizorit, në transmetimin direkt të konferencës për shtyp të Sylvinho, nëse do të jetë apo jo pjesë e finaleve të “Euro 2024”:

“Shpresat gjithmonë kanë qenë që të jem pjesë e listës, por vendimet e trajnerit nuk i kemi ditur deri në momentin e konferencës, kur edhe u publikuan emrat. Kam përjetuar emocion të veçantë kur pashë në listë edhe emrin tim. Gjithmonë është e veçantë kur të thërret kombëtarja.

I kam përjetuar njëherë emocionet e finaleve të Europianiot në Francë, do të jetë kënaqësi t’i provoj sërish kësaj vere. Kur t’i afrohemi ndeshjes së parë do t’i ndiejmë emocionet edhe më shumë.

Për mua, por edhe për çdo lojtar, sigurisht që është shumë e rëndësishme paraqitja në Evropian. Është ëndërr për çdo lojtar. Është diçka shumë speciale për mua, por edhe për çdo lojtar tjetër. Besoj se emocionet e vërteta do t’i përjetojmë në momentin kur edhe do të fillojë ngjarja madhore”.

Kujtojmë se në finalet e “Euro 2024”, kombëtarja jonë kuqezi është në një grup shumë të vështirë, ku bëjnë pjesë edhe Italia, Spanja e Krocia. Ajeti iniston se Shqipëria nuk do të udhëtojë me “flamur të bardhë”, përkundër grupit shumë të fortë:

“Mundësitë i kemi, edhe pse është grup shumë i vështirë. Besoj se kemi mundësi të bëjmë diçka të madhe. Nuk besoj se do ta kemi të lehtë, por përkrahja e shqiptarëve do të jetë motiv shumë i madh për ne”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd